Ka ndodhur

Vrau me çifte kushëririn, arrestohet 43-vjeçari në Bulqizë, policia: Ngjarje aksidentale

Gazeta Si – Arrestohet Flamur Kamberi, autori i vrasjes së kushëririt të tij Vasil Kamberi, ngjarje e ndodhur mesditën e të enjtes në pyllin e fshatit Tërnovë e Vogël në Bulqizë.

Sipas Policisë, Flamur Kamberi qëlloi aksidentalisht me armë gjahu të afërmin e tij, i cili ndërroi jetë teksa transportohej me helikopter për në spital.

Bashkë me disa persona të tjerë, viktima dhe autori kishin dalë për gjueti në pyllin e fshatit.

“Specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë dhe Prokurorinë, në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në pyllin e fshatit Tërnovë e Vogël, në Bulqizë, arrestuan shtetasin F.K., 43 vjeç, banues në fshatin Tërnovë, Bulqizë”, njofton Policia e Dibrës.

Po ashtu, janë proceduar edhe tre shtetas të tjerë, të cilët kishin dalë së bashku për gjueti. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 4 armë gjahu (çifte), 2 gëzhoja, 22 copë fishek dhe 4 celularë.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi F.K., sëbashku me shtetasin V.K, (viktima), dhe shtetasit A.K., H.T., R.K., kishin dalë për gjueti në pyllin e fshatit Tërnovë dhe askidentalisht shtetasi F.K., ka qëlluar me armën e gjahut në drejtim të shtetasit V.K. Shërbimet e Policisë në vendin e ngjarjes, kanë gjetur dhe sekuestuar në cilësinë e provës materiale, 4 armë gjahu (çifte), 2 gëzhoja, 22 copë fishek dhe 4 celularë”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë