Ka ndodhur

Vrau bashkëfshatarin në Fushë Krujë, kapet në kufi me Greqinë Klodian Keqi

Gazeta Si – Ka zgjatur vetëm 48 orë arratia e Klodian keqit, i cili vrau me kallashnikov bashkëfshatarin e tij Luan Hushi për sherrin për drutë në Fushë Krujë.

Burime policore bëjnë me dije se Keqi, është vënë në pranga në zonën e Konispolit, ku ka tentuar të arratisej nga Shqipëria drejt Greqisë.

Ai ka tentuar që të largohet në këmbë në mënyrë ilegale në drejtim të shtetit helen. Por është pikasur nga policia, e cila ka bërë të mundur arrestimin e tij.

Gjithashtu, së bashku me 40-vjeçarin, policia arrestoi në flagrancë edhe dy persona që e ndihmuan keqi të arratisej.

Për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, u prangosën edhe shtetasit L. K., 25 vjeç dhe L. Gj., 30 vjeç, të cilët po shoqëronin dhe ndihmonin autorin e dyshuar për t’u larguar nëpërmjet kufirit të gjelbër për në shtetin grek.

Në momentin e arrestimit, atij nuk është i gjetur armë me vete, ndërsa bashkëfshatarin e tij Luan Hushin e ka qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Policia thotë se vijojnë kërkimet për gjetjen e armës të cilën dyshohet se Keqi e ka përdorur në momentin e krimit.

55-vjeçari Luan Huqi mbeti fillimisht i plagosur, ndërsa humbi jetën në spital për shkak të plagëve të marra.

Klodian Keqi, rezulton një person me precedent të mëparshëm penal. Në vitin 2010, Keqi sëbashku më vëllanë e tij kanë tentuar të vrasin një person, Mustafa Dacin.

Shkak është bërë një konflikt i vjetër që kanë pasur familja Keqi dhe Daci më parë për çështje pronësie. Mes tyre kishte pasur edhe më parë përplasje, por në 2010 dy familjet patën shkëmbim me armë zjarri në mes të rrugës.

Nga shkëmbimi me armë zjarri në atë kohë, mbetën të plagosur Mustafa Daci dhe vëllai i Klodianit, Jetmir Keqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë