Ngjarje

Vrau babanë dhe e hodhi në pus / Dëshmia e bashkëpunëtorit të Esmerald Ballës: Më dha para, trupin në fillim e fshehëm në ferra

Nga Gazeta Si- Dëshmia e 25-vjeçarit të arrestuar si bashkëpunëtor në fshehjen e trupit të 62-vjeçarit Enver Balla nga i biri ka hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen makabër të ndodhur para disa ditësh në Shënavlash.

Sipas grupit hetimor, i punësuar si bari në fermën e familjes Balla, Edison Brahaj ka pranuar se ditën e krimit, më 13 gusht, ka qenë disa metra larg vendit ku u ekzekutua Enveri. Ai ka pranuar se dëgjoi dy të shtëna dhe më pas është thirrur nga Esmeraldi për ta ndihmuar të zhvendosin trupin e viktimës të cilin fillimisht e kanë fshehur në ferra.

Të dy janë kthyer më vonë për të zhvendosur trupin drejt pusit më të afërt që kishin,

Për këtë ai ka deklaruar se është paguar nga Esmerald Balla me një shumë të konsiderueshme parash.

Gjatë kontrollit në banesë, Brahajt iu gjetën 145 mijë lekë.

Akuzat që rëndojnë mbi punëtorin e fermës për grupin hetimor janë të qarta, “fshehje ose asgjësim i kufomës”, “moskallëzim i krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Pas vrasjes dhe hedhjes në pus të kufomës, më 15 gusht, Esmerald Balla ka denoncuar në polici largimin e babait nga banesa dhe ka vijuar me skenarin e zhdukjes së babait me një grua të panjohur.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se vrasja nuk ka qenë një akt vetëmbrojtjeje, siç thotë autori, por një ekzekutim i babait që është qëlluar me dy plumba nga pas, një plumb pas koke dhe një në kurriz. Ndërkohë hetimet vazhdojnë me intensitet për të zbuluar nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë