Gazeta Si – Ish-zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj ka dëshmuar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Emiljano Shullazit dhe të pandehurve të tjerë për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut në vitin 2005.
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Kuliçaj foli për një letër që i ishte dërguar atij nga Luftar Reçi, bashkëpunëtori i drejtësisë, ku fliste për disa ngjarje kriminale.
“Në 2008 Luftar Reçi më është drejtuar me një letër ku fliste për disa ngjarje të rënda në Dibër si trafik armësh dhe vrasjesh në Tiranë dhe Durrës. Pas letrës kam marrë kontakt me të në burg bashkë me dy drejtorët Tonin Vocaj dhe Arjan Kurti. Nuk e kam intervistuar unë, sepse nuk e kisha detyre funksionale. Për rastin u informua Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe çështja u kalua në Prokurorinë për Krime të Rënda”, deklaroi Kuliçaj.
Në gjykatë ai u pyet nga Emiljano Shullazi nëse në letër përmendej emri i tij në lidhje me vrasjen e Vajdin Lamaj, gjë për të cilën Kuliçaj u përgjigj “po, e permendte”.
Gjatë seancës, ka pasur debate të forta mbi ekspertizën psiko-ligjore të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit, Viktor Imerajt, Lulzim Berishës, Plaurent Dervishajt, Indrit Taullaut e Indrit Rusit për vrasjet e vitit 2005.
Para gjykatës u paraqiten si dëshmitare dy ekspertet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë ekzaminuar gjendjen e Reçit me kërkesë dhe vendim të SPAK.
Në ekzaminimin e vitit 2022, ekspertet në fjalë përcaktuan se Luftar Reçi është i përgjegjshëm për ato çfarë ka deklaruar.
Avokatët e të pandehurve debatuan ashpër me mjeket femra, duke u kujtuar se për bashkëpunëtorin ka pasur një tjetër akt ekspertimi në vitin 2013, ku ai rezulton depresiv dhe jo i besueshëm.
Në këtë kontekst, ata kërkuan një ekspertizë të re me pedagogë të psikologjisë, profesorë psikiatër, madje edhe me ekspertë të huaj për të vlerësuar gjendjen e tij mendore.
Viktor Imeraj mori fjalën duke iu drejtuar eksperteve në seancë: “Zonjat s’mbakan mend, mos vuani nga skleroza, na thoni t’ju japim ilaçe…”.
Pasi iu tërhoq vëmendje, Imeraj u gjobit me 5 mijë lekë. Më pas, fjalën e mori Emiljano Shullazi, duke iu thënë dy eksperteve.
“Si ka mundësi, ju për 50 minuta intervistë, dolët në konkluzione për të, kurse ne këtu 4 orë kur u ballafaquam, s’arritëm ta kuptojmë?”.
I pandehuri tjetër, Indrit Rusi pyeti njërën prej mjekeve: “A keni punuar në vitin 2016 në paraburgimin e Durrësit?”. Mjekja iu përgjigj: “Po”.
Ndërsa Rusi i tha: “Më mbani mend, se unë kisha një infeksion në dhëmballë, ti më thoshe ke keq bajamet”.
Avokatët po ashtu pretenduan se ekspertiza për Luftar Reçin nga IML, është kryer nën presionin e SPAK dhe se mjekët kanë qenë në dijeni që ai ishte bashkëpunëtor i drejtësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.