Ngjarje

Masakër në Klos për një lidhje dashurie/ Vritet djali 17-vjeçar dhe babai i tij, vetëvritet autori. Dy të plagosur e dy të arrestuar

Gazeta Si - Një takim sqarues mes 3 familjeve në Klos të Dibrës për ngacmimin që djemtë e mitur të familjes Shira dhe Hasula i bënin përmes rrjeteve sociale vajzës së familjes Mjeshtri, ka degraduar në përdorimin e armës.

Fiqiri Mjeshtri, 39-vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, vranë me armë zjarri babë e bir, Kenado Shira, 17 vjeç dhe të atin Ilir Shira 46 vjeç.

Gjatë përplasjes me armë zjarri, mbetën të plagosur Renato Hasula 14 vjeç dhe babai i tij, Eglantin Hasula, 39 vjeç.

Dy vëllezërit bashkëpunëtorë, Fatmir dhe Besnik Mjeshtri u arrestuan, ndërsa i dyshuari si autor i masakrës, Fiqiri Mjeshtri u gjet i vetëvrarë pak minuta pas ngjarjes. së rëndë.

RENEA dhe FNSH në Klos pas masakrës me 3 të vrarë dhe dy të plagosur

Pista e vrasjes

Nga burime paraprake, mësohet se 17-vjeçari Kenado Shira, që mbeti i vdekur, ishte dashuruar me vajzën 16-vjeçare të autorit të ngjarjes, Fiqiri Mjeshtri.

Në informacionet e siguruara, thuhet se ishte familja Mjeshtri ajo që kundërshtonte këtë lidhje mes të rinjve dhe shkuan në një lokal në qendër të Klosit për t’u sqaruar.

Fiqiriu kishte marrë me vete dhe dy vëllezërit, Besnik Mjeshtrin, i cili ishte polic bashkiak dhe Fatmir Mjeshtrin.

Ndërsa 17-vjeçari kishte marrë të atin dhe dy të afërmit e tyre për t’u sqaruar me familjen e vajzës. Sherri mes tyre degradoi në përdorimin e armëve. Të vdekur mbetën babë e bir të familjes Shira.

Vrasja

Vrasja që tronditi Klosin ndodhi rreth orës 14:15 minuta (12 tetor 2022) në qendër, përballë gjimnazit të këtij qyteti.

Djali 17 vjeçar humbi jetën në vendin e ngjarjes ndërsa i ati, Ilir Shira humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë Renato 14 vjeç dhe babai i tij janë dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë njerëz të shumtë në zonë dhe viktimën e mitur të mbuluar me batanije në trotuar.

Arrestimi i vëllezërve dhe vetëvrasja

Policia menjëherë ka rrethuar zonën, ka bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe ka ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.  

Gjatë kontrollit të zonës, policia informoi se ka arrestuar Fatmir Mjeshtrin 44 vjeç dhe vëllanë e tij, Besnik Mjeshtri bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.

Ndërkohë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, Fiqiri Mjeshtrin, 39 vjeç.    

Policia ende nuk ka dalë me një motiv që fshihet pas kësaj masakre por dyshohet se shkak është një vajzë.

Në njoftimin e policisë thuhet se vrasja ka ndodhur për motive motive të dobëta. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Sot në orën 14:15 minuta, në qytetin e Klosit ka ndodhur një ngjarje e rëndë, një vrasje, ku kanë ngelur të vrarë shtetasit Ilir Shira dhe Kenado Shira. Të plagosur janë Renato Hasula dhe Eglantin Hasula. Të plagosurit janë nisur në Tiranë. Me marrjen e informacionit, policia u vu në ndjekje me shërbime dhe u bë e mundur kapja e 3 personave; Fiqiri Mjeshtri, Fatmir Mjeshtri dhe Besnik Mjeshtri. Theksoj se Fiqiri Mjeshtri ka ndërruar jetë, është vetëvrarë. Policia në bashkëpunim me prokurorin po vazhdon me përgjegjësi për zbatimin me korrektësi të procedurave ligjore, si dhe punën për zbardhjen e kësaj ngjarje”, deklaroi Dhimitraq Ziu, drejtori i Policisë së Dibrës.

Viktimat

Ilir Shira, 44 vjeç
Kenad Shira, 17 vjeç
Fiqiri Mjeshtri, autori i vetëvrarë

Të plagosur (Babë e bir)

Eglant Hasula, 39 vjeç
Renato Hasula, 14 vjeç

Të arrestuar (Vëllezër)

Fatmir Mjeshtrim, 44 vjeç
Besnik Mjeshtri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë