Ka ndodhur

Vrasje me thikë për kanalin vaditës në Divjakë, humb jetën 32-vjeçari

Gazeta Si – Një 32-vjeçar është vrarë me thikë mbrëmjen e së martës, 19 gusht në fshatin Kryekuq të Divjakës, ku shkak dyshohet të jetë bërë një konflikt për kanalin vaditës me ujë.

Viktima është Besmir Kumria, ndërkohë që policia ka arrestuar pas disa orësh autorin e dyshuar, Xhesion Toromeni, 25 vjeç.

Nga të dhënat paraprake hetimore, si dhe nga dëshmitarët në vendngjarje, mësohet se i ndjeri Kumria ishte ulur në lokal së bashku me disa persona të tjerë, kur në vendngjarje ka mbërritur me një automjet 25-vjeçari Toromeni. Ky i fundit është afruar te tavolina e viktimës dhe e ka goditur disa herë me thikë.

Pas krimit, autori është larguar me automjetin e tij në tentativë për t’i shpëtuar ndjekjes policore. Megjithatë, pas verifikimeve dhe dëshmive të banorëve të zonës, ai është ndaluar dhe arrestuar nga policia e Fierit.

Dyshohet se dy familjet kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës që kalonte pranë banesave të tyre.

Grupi hetimor i ngritur për këtë rast ka konkluduar se mes familjes së viktimës dhe asaj të autorit ka pasur konflikte të mëparshme lidhur me një kanal vaditës në zonë, çka dyshohet të ketë qenë motivi i ngjarjes së rëndë që i mori jetën 32-vjeçarit.

Mësohet se Kumria punonte në Himarë dhe ishte kthyer në banesë për të përcjellë bashkëshorten e tij, e cila do të nisej drejt Gjermanisë, ku kishte gjetur punë si infermiere. Policia e Lushnjës po vijon hetimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë