Gazeta Si – Një 47-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit me thikë gjatë një konflikti banal nga fqinji i tij në lagjen nr. 4 Durrës këtë të mërkurë rreth orës 12:30.
Halil Koka, pasi është plagosur me thikë ka humbur jetën gjatë transportimit në spital. Sipas policisë, autori Ilir Koçilja, 35 vjeç, u arrestua pas disa orësh në mes të qytetit bregdetar.
Policia ka dyshime se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit mes dy personave të përfshirë në sherr, të cilët ishin fqinj.
Sherri mes tyre nisi në lagjen numër 4 të qytetit, ku Koçilja sulmoi me thikë komshiun. I plagosur 47-vjeçari kapërceu rrugën dhe vrapoi për t’i shpëtuar agresorit të tij, por u rrëzua në rrugë, pranë kontejnerëve të mbetjeve urbane.
Paraprakisht, dyshohet se shkak i sherrit u bë vendparkim poshtë pallatit, por edhe një borxh. Megjithatë, pritet hetimi për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Koçilja, sipas policisë, është person problematik në komunitet. Ai shponte dhe gomat e automjeteve të parkuara në rrugë. Njëkohësisht, dyshohet se ai vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




