Ka ndodhur

Vrasje me thikë edhe në Berat, 42-vjeçari nga Tirana humb jetën pas sherrit për një foto me kalin!

Gazeta Si – Një tjetër vrasje me thikë është regjistruar këtë të martë, pas ngjarjes së rëndë në Durrës, ku djali vrau të atin dhe vrasjes së ndodhur rreth orës 15:00 në një restorant, në Komunën e Parisit, në Tiranë.

Policia njofton se vrasja është regjistruar në Berat, ku viktimë ka mbetur një 42-vjeçar nga Tirana, Keli Hoxha, ndërsa autor i dyshuar është Kristo Mema, u arrestua pak orë pas krimit, i fshehur tek “Shpella e Memecit”, pranë kishës, përballë Urës së Goricës.

Ngjarja tragjike sipas burimeve, ka ndodhur për motive të dobëta, ku shkak dyshohet se ka qenë mospagesa pas një fotoje me kalin, të cilin autori e ofronte për xhiro turistike në zonën e kalasë së qytetit.

Vviktima ishte me nënën, bashkëshorten dhe dy fëmijët pranë kalasë si turist dhe nuk njihej me autorin. Ai u ka bërë foto fëmijëve me kalin dhe nuk ka paguar para.

Pas kësaj ka nisur debati mes tyre dhe pronari i kalit, Kristo Mema alias Kastriot Hoxha, 63 vjeç, e qëlloi me thikë turistin nga Tirana, në sy të familjarëve të tij.

Debati ka degjeneruar shpejt fillimisht në një përplasje fizike, që përfundoi me përdorimin e thikës dhe humbjen e jetës së 42-vjeçarit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10, në lagjen e Kalasë, ku K. M. (alias K. H.), 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë” të Beratit, dyshohet se ka goditur me mjet prerës 42-vjeçarin K.H., banues në Tiranë. Ky i fundit ka ndërruar jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.

Autori dhe viktima nuk njiheshin mes tyre dhe mësohet se autori ka precedentë penalë për një vrasje me thikë në Greqi. Ai ishte dënuar me 25 vite burg në shtetin fqinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë