Ka ndodhur

Vritet në lokal 36-vjeçari në Shkodër, i akuzuar për plagosje dhe grabitje. Në çantën e dorës i gjendet një pistoletë gati për qitje (Foto)

Gazeta Si - Një 36-vjeçar me precedentë të mëparshëm penalë në Rumani dhe Belgjikë, i identifikuar si Elis Rroshkodoli, është vrarë me armë zjarri mesditën e kësaj të premteje në rrugën "Isuf Sokoli" në Shkodër në zonën e njohur si "Zdrale".

Viktima, i cili me sa duket i ruhej një atentati, ka pasur në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë me fishek gati për qitje, por nuk ka mundur ta përdorë, pasi autori e ka zënë në befasi, duke e qëlluar për vdekje.

Sipas burimeve, vrasja ka ndodhur brenda në lokalin “ish-Gjuetari”, në lagjen “Ahmet Haxhia”, për shkaqe dhe në rrethana momentalisht të panjohura. I riu u qëllua me pistoletë nga një person ende i paidentifikuar, i cili pas vrasjes u largua në këmbë.

Në njoftimin e saj për mediat, policia thotë se në vendin e ngjarjes, ka gjetur në çantën e dorës së 36-vjeçarit, 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.

Në fakt, 36-vjeçari Elis Rroshkodoli rezulton person me precedentë penalë. Emri i tij është shfaqur më herët në mediat e huaja. Ai ishte shpallur në kërkim në vitin 2023 në Rumani, pasi goditi me thikë pronarin e një rrjeti lokalesh atje, Jean Sasu.

Siç kanë shkruar mediat asokohe, 36-vjeçari e ndoqi shënjestrën e tij për dy ditë. I plagosuri po ecte me një grua, kur shqiptari u ngrit nga tavolina dhe e goditi atë me thikë. Pas kësaj, Rroshkodoli u arratis dhe nuk u kap dot.

Rroshkodoli nga ana tjetër ka qenë anëtar i një bande kriminale në Belgjikë, e specializuar në vjedhje. Në vitin 2014 autoritetet njoftuan shkatërrimin e kësaj bande e përbërë më së shumti nga shqiptarë. Mes atyre që përfunduan në pranga ishte edhe 36-vjeçari Rroshkodoli.

E shkuara e errët e tij, dyshohet se shpjegon edhe pistoletën që policia i gjeti atij në çantën e dorës pas vrasjes. Armën, viktima e kishte me fishek në fole, gati për qitje, sipas policisë.

"Rreth orës 12:30, në lagjen “Ahmet Haxhia”, në një lokal, dyshohet se një shtetas i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Rr., rreth 36 vjeç, banues në Shkodër. Me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe drejtuesit e Drejtorisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Gjithashtu është ngritur një grup hetimor i cili ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën intensive në bashkëpunim me Prokurorinë, për sigurimin e provave për dokumentimin ligor të kësaj ngjarjeje. Nga veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit E. Rr., 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje. Vijojnë veprimet dhe kontrollet intensive, për identifikimin dhe kapjen e autorit", - njofton Policia e Shkodrës.

Në përditësim...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë