Ngjarje

Atentat në autostradën Vlorë-Fier/ Kush është 30-vjeçari me të shkuar kriminale që u vra brenda makinës dhe dinamika e ngjarjes

Nga Gazeta ‘Si’- Një vrasje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Vlorë-Fier, ku një person është ekzekutuar brenda makinës së tij tip “Volkswagen”.

I vrarë me kallashnikov ka mbetur drejtuesi Kristjan Marku 30 vjeç me origjinë nga Rubiku.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në zonën sapo kalon rreth-rrotullimin e Novoselës rreth orës 18:15.

Marku është me precedent penal për “Vrasje me dashje në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.

Policia njofton se në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Drejtorisë Vendore të Vlorës, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, për të realizuar kontrolle dhe për të kërkuar prova që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vrasjeje.

Kush është Kristjan Marku, i njohur edhe si Kristjan Bardhi

30-vjeçari Kristjan (Marku) Bardhi është nipi i Martin Bardhit, i njohur edhe si Marjan Marku. Në vitin 2023, Marjan dhe Kristjan Marku u përfshinë në një atentat me armë zjarri ndaj Sajmir Reçit, nipit të Kastriot Reçit.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Rrëshenit, ku të dy zbritën nga makina dhe hapën zjarr me breshëri plumbash ndaj makinës së Sajmir Reçit, emër i njohur i botës së krimit.

Ky i fundit arriti t’i shpëtonte atentatit, ndërsa Martin Bardhi do të vritej vetëm pak muaj më pas në kafenenë e qytetit, menjëherë sapo kishte dalë nga burgu. Martin Bardhi është përfolur edhe për përfshirjen në vrasjen e Kastriot Reçit me snajper në mes të qytetit të Rrëshenit.

Dyshohet se përplasja mes tyre dhe fisit Reçi ka nisur disa vite më parë, për shkak të një sherri banal për parakalim të gabuar nga djali i Martin Bardhit, ku në atë kohë të dyja palët u përplasën fizikisht.

Dinamika e ngjarjes

Sipas informacionit të fundit, është gjetur një automjet tip “Volkswagen Golf” i djegur, pranë vendit të quajtur “Kripa”,nga i cili besohet se kanë hapur zjarr atentatorët.

Drejt 30-vjeçarit Marku, fillimisht rezulton të jetë qëlluar pranë një vendndalimi të autostradës, ku dhe janë gjetur 9 gëzhoja, ndërsa një gëzhojë e 10 është gjetur në makinën e viktimës, e cila ishte e ndaluar rreth 1 kilometra poshtë vendpushimit. 

Këto rrethana kanë ngritur dyshimet se mos Kristian Marku është qëlluar teksa ka qenë i ndaluar në vendndalimin e autostradës dhe ka tentuar të largohet, apo se është qëlluar edhe në ecje e sipër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë