Drejtësia

Vrasje dhe grup kriminal, ekstradohet nga Dubai Denis Bajri. Pamjet kur mbërrin në Rinas

Gazeta Si – Denis Bajri, i cili u arrestua në shkurt të vitit 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe u ekstradua sot në Shqipëri, i akuzzuar si autori i vrasjes së Gjin Boriçit, më 9 gusht të vitit 2020 në Shkodër.

Roli i 37-vjeçarit në këtë ngjarje u zbulua pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin SKY ECC, nga ku rezultoi se porositës i vrasjes së Boriçit ishte Ervis Martinaj.

Ky i fundit, përmes biznesmenit Pëllumb Gjoka, i kishte kërkuar Behar Bajrit, gjithashtu i arrestuar në operacionin ‘Metamorfoza’, të ekzekutonte Gjin Boriçin.

Behar Bajri, i cili rezulton të ketë pasur marrëdhënie shoqërore me Boriçin, sipas SPAK ia dha porosinë Denis Bajroviçit për të finalizuar ekzekutimin. Në biseda thuhet se Bajroviç shkoi edhe në varrimin e mikut të tij për të hequr dyshimet.

Denis Bajroviç konsiderohet nga SPAK si person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal”, njoftoi policia.

Me ekstradimin e fundit, Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë më strehë për personat që kryejnë krime dhe i shmangen drejtësisë.

Prej rreth një viti, Dubai, që është konsideruar si parajsë për këta persona, po i dëbon, për t’i përballur me akuzat e ngritura ndaj tyre.

Drejt Shqipërisë janë ekstraduar emra si Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj, Bruno Çobo, Florenc Çapja, Dashnor Dumani dhe Armis Stafa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë