Gazeta Si – Ish-polici i RENEA-s, Arbër Paplekaj, i dënuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në Elbasan, është liruar me kusht nga qelia.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Durrësit, e cila ka pranuar argumentet e paraqitura nga avokati i Paplekajt, i cili pretendon se ka vuajtur pjesën më të madhe të dënimit.
Më herët, Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Elbasanit, duke ia ulur dënimin nga 22, në 7 vite burg.
Po ashtu, Apeli ndryshoi edhe akuzën ndaj tij, nga “vrasje në rrethana cilësuese”, në “vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.
Po ashtu, Apeli ka dhënë pafajësi për 6 policët e Forcave Shqiponja, Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.
Për ta, Gjykata e Elbasanit kishte dhënë dënimin me 16 muaj shërbim prove.
Të pafajshëm janë shpallur edhe dy ish-zëvendësdrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, për të cilët Gjykata e Elbasanit kishte dhënë nga 1 vit shërbim prove për secilin.
Nga shkëmbimi i zjarrit, mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe të plagosur, Emiljani Prenga, Paulin Vuksani, dhëndri i Xhuvanit, Edjon Budani dhe policja, Xhensila Sota.
Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë, duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje, pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.
Ngjarja ndodhi pas përplasjes mes shtabeve elektorale, kur struktura informale e ngritur nga Partia Demokratike për “mbrojtjen e votës” ndaloi makinën e Mehmet Grecës, me pretendimin se ai po shpërndante para në këmbim të votave për Partinë Socialiste. Sipas hetimeve të prokurorisë, mësohet se Greca thirri në ndihmë Pjerin Xhuvanin.
Nga ana e PD, ishte struktura për Mbrojtjen e Votës së ngritur në Elbasan, pjesë e së cilës ishte edhe Arbër Paplekaj, i cili shoqëronte deputetin Gazmend Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




