Nga Gazeta ‘Si’-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka dënuar ashpër sulmin me armë në zonën e Leposaviqit ku mbeti i vrarë një rreshter i policisë dhe u plagos një tjetër.
Kryetarja e shtetit e cilësoi sulmin si një vepër të bandave kriminale serbe kundër Kosovës dhe me synimin e qartë për të krijuar destabilizim në zonat e veriut.
“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.
Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.
Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, shkruan Vjosa Osmani.
Më tej, presidentja shkruan se pret nga aleatët që ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës.
Osmani ka ndërprerë vizitën zyrtare në New York pas zhvillimeve të fundit në veri.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, konfirmoi se Osmani ka anuluar të gjitha aktivitetet e parashikuara për të hënën dhe të martën dhe do të niset menjëherë drejt Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




