Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Milkjor Gjoka, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit Ridvan Hyseni, në fshatin Mushan të njësisë Dajç të Shkodrës.
Ndërkohë, gjykata ka dhënë masën lehtësuese “detyrim me paraqitje” për dy dëshmitarët Blerim Mlloja dhe Marjeta Gramshi, të arrestuar për “moskallëzim krimi”.
Ka qenë vetë prokuroria që kërkoi masën “detyrim paraqitje” për dy dëshmitarët, ndërsa për Milkjor Gjokën organi i Akuzës kërkoi “arrest me burg”, masë të cilën e dha gjykata.
Shtetasi Milkjor Gjoka deklaroi se ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e ndodhur, duke mohuar akuzat ndaj tij. Gjoka tha se ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes, në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar, duke mohuar se ka bashkëpunuar me vëllezërit Mehmedaj, që dyshohen si autorë të vrasjes së Ridvan Hysenit ose i njohur edhe si Ridvan Ramazani.
Ndërkohë, Milkjor Gjoka nuk ka dhënë sqarime të mëtejshme rreth ngjarjes. Pala mbrojtëse kërkoi një masë më lehtësuese, por gjykata vendosi “arrest me burg”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




