Ngjarje

Vrasja në Shënavlash / Arrest me burg për Esmerald Ballën: Jam penduar!

Nga Gazeta 'SI'- Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 30 vjeçarin Esmerald Balla dhe bashkëpunëtorin e tij në vrasjen e babait, Edison Brahja.

Ndaj Ballës rëndojnë akuzat e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Ndërsa për Brahjan, ajo e “fshehjes së kufomës”.

Balla shprehu pendesë në sallën e gjyqit dhe u shfaq në gjendje të rënduar emocionale.

“Nuk kam çfarë të them për ngjarjen. I qëndroj versionit të vetëmbrojtjes", tha ai.

Esmeraldi u shfaq herë pas herë me duart në kokë dhe shpesh me fytyrën poshtë.

Esmerald Balla, pas pranimit të krimit, ka rrëfyer dinamikën e krimit.
Ai ka thënë se më 13 Gusht kanë qenë rrugës për në fermën e tyre të quajtur “Ferma Balla”, pasi do shkonin te delet dhe kur arritën afër stallave, i ati sipas tij ka filluar ta fyejë për faktin që tek kopeja e deleve nuk kishte bari dhe delet ishin vetëm.

“Pasi kanë zbritur nga makina dhe siç ishte i acaruar pas fyerjeve që vazhdonte t’i bënte babai, e ka pyetur nëse e kishte parë kasafortën. I ka thënë që nuk e ka parë dhe se kasaforta ishte te dhoma”, vijon dëshmia. Por më tej, sipas Esmeraldit, “babai më tha se kasafortën e kishte marrë dhe e kishte hapur tek Lida (Lindita, gruaja me të cilën kishte lidhje), i ka marrë lekët dhe kasafortën e ka lënë te kodra”.

I dyshuari vijon se “pasi u trondit për këtë fakt, u acarua duke i thënë se çfarë kishte bërë kështu, por duke ju afruar ka parë që babi ka nxjerrë nga brezi një pistoletë dhe e mbajti në dorë duke e mbushur”.

I riu është mbrojtur duke thënë se në ato momente paniku ka mundur t’i kapi dorën dhe ja ka kthyer pas, “e në këto momente pistoleta është shkrepur dhe babai ka rënë në tokë”.

“Pasi ja mora armën i tronditur, e ngaqë nuk dija çfarë të bëja, e qëllova dhe një herë tjetër me sa kujtoj. Babai ra në tokë dhe nuk kishte më shenja jete”, thuhet në dëshminë e dosjes ndaj 30-vjeçarit.

Më tej ka ngritur planin e inskenimit dhe denoncimit të rremë, teksa i ka dërguar mesazh vëllait në Itali nga telefoni i tij, për humbjen. Për ta bërë të besueshme ka dërguar edhe një mesazh nga Instagrami në emër të një femre, Entila, sikur Enver Balla ishte larguar me të dhe të mos e kërkonin, pasi ajo “po priste një fëmijë me Enverin”. 

Kurse i ndaluari tjetër, Edison Brahaj, ka deklaruar nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, se në polici është dhunuar që të pranojë bashkëpunimin, por i pyetur nga gjykatësi ditën e sotme, Brahaj ka hedhur poshtë versionin e dhunës dhe gjithashtu të bashkëpunimit në vrasje.

Balla i mori jetën babait të tij 62 vjeçar më 13 Gusht 2024 dhe më pas ia hodhi trupin në pus. Dy ditë më vonë ai denoncoi në polici zhdukjen e të atit, Enver Balla, me pretendimin se ai kishte shkuar me pushime me një grua të panjohur. Shkak deri më tani dyshohet të jenë konfliktet për 75 milionë lekë të vjetra, të cilat ende nuk dihet me saktësi se kujt i përkisnin.

Versionet e tij kontradiktore për rastin i bënë hetuesit të dyshojnë që në fillim. Ai i u rimor në pyetje më datë 3 Shtator 2024, ditë kur rrëfeu krimin e kryer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë