Gazeta Si - Jonida Proga, motra e Egli Progës, i cili u dhunua për vdekje dy ditë më parë në Pogradec, akuzon policinë se kanë reaguar me vonesë në lidhje me ngjarjen.
Në një deklaratë për mediat, ajo shprehet se policia ka deklaruar se i vëllai ishte rrëzuar, ndërkohë që sipas saj, dukeshin qartë shenjat e dhunës.
Jonida Proga shprehet se edhe ambulanca ka shkuar me vonesë në vendngjarje, ndërsa shton se policia nuk vuri as shirita në vendin ku vdiq i vëllai, pasi sipas saj, donin të fshihnin ngjarjen.
“Më ka marrë djali i tezes në telefon dhe më tha urgjent në spital. Vrapoj për atje, futem te urgjenca, shoh Eglin të shtrirë, të masakruar. Mjekët ishin duke i dhënë ndihmën e fundit, ne s’e pranonim dot që kishte ndodhur, derisa mjekët thanë që t’i hiqnin pajisjet. Në shok kam dalë jashtë, pyes policët çfarë ka ndodhur dhe më thonë është rrëzuar”.
Ajo shpjegon se policia nuk i ka treguar çfarë ka ndodhur realisht dhe se informacionin e ka marrë vetëm nga mediat.
“Kanë folur për pjesën që është rrëzuar e deri që nuk e dimë, por jo të thoshin kemi dërguar njerëz, po mbledhim prova, po marrim kamerat, po pyesim dëshmitarë. Policia ka lëvizur shumë vonë. Do të thotë që kanë qenë në lëvizje nga të tjerët për t’u sjellë kështu. Akoma asnjë gjë, informacioni vetëm është marrë nga mediat. Mirë që si lexova që ka vdekur në gjendje të dehur nga rrëzimi, se nuk e di si do ta përballoja”.
Sipas saj, Egli Proga “dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar. E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte, u vonua gjysmë ore që Pogradeci për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin”.
Të vëllanë ajo e përshkruan si njeri të qetë dhe të dashur. "Egli ishte njeriu më i butë, më i dashur, e donin të gjithë, ishte familjar, ishte në punën e tij. Sa ka mbyllur punën, ishte në qejf, nuk e di çka ndodhur. E kanë kthyer, e kanë provokuar dhe më pas e kanë vrarë. Është vrasje në bashkëpunim, muk është vetëm një njeri, këtu është në bashkëpunim dhe shteti që ka pritur, e ka fshehur ngjarjen. Nuk ka pasur shirita, makinat kalonin aty, njerëzit pinin kafe. Kjo është vrasje nga të gjitha anët, me gjakftohtësinë më të madhe, nuk është një vrasës, kjo gjë sapo ka filluar dhe mos guxojë askush të bëhet palë. Kushdo që ka guxuar mos të guxojë më”.
Jonida kërkon drejtësi për Egli Progën. “Të hetohet çdo gjë në detaje, çdo gjë që ka ndodhur, çdo gjë që është bërë në bashkëpunim, çdo frymë që ka kaluar atje, çdokush që e ka parë, gjithë plehrat që janë fshehur, çdo kafshë që ka guxuar të jetë atje e ka frikë e fshihet. Si thonë që nuk kemi parë gjë kur shohin të masakrohet një njeri i pambrojtur? Kush është i forti këtu kur goditet i pambrojturi?”, - deklaron ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.