Gazeta Si- Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në qeli Julian Gjoshin, 27-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e Alfred Dedjas në Ndroq.
Në të njëjtin vendim gjykata urdhëroi kryerjen e një akt-ekspertimi psikik, pas pretendimeve të mbrojtjes për papërgjegjshmëri për shkak të varësisë nga lëndët narkotike.
Ngjarja ndodhi në 1 dhjetor, kur Julian Gjoshi vrau me armë zjarri 50-vjeçarin Alfred Dedja në një lokal Ndroq.
Ai u vetëdorëzua në polici një ditë pas ngjarjes pas bllokimit të rrugëkalimeve dhe pamundësisë për të qëndruar i fshehur.
Pista kryesore e hetimit mbetet prishja e pazareve të drogës. Autori dhe viktima janë persona me precedentë penalë.
Në polici, Gjoshi ka thënë se e ka kryer vrasjen pasi 50-vjeçari e ofendonte tek persona të tretë. Sipas tij, ai gjatë kohës kur kanë qenë shokë e ka ndihmuar Alfredin dhe nuk e priste nga ai që ta shante pas krahëve.
Për sa i përket armës së krimit, 26-vjeçari ka deklaruar se pasi ka kryer vrasjen, e ka hedhur nga xhami i makinës në Ndroq, jo shumë larg nga vendi i ngjarjes.
Julian Gjoshi rezulton kunati i Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, ku në vitin 2020 u rrëmbye dhe u zhduk trupi i Jan Prengës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.