Ana e errët

Vrasja në Lushnje për kontrollin e lojërave të fatit – A po e nxisin bastet krimin?

Policia nuk ka dalë me asnjë deklaratë zyrtare për pistat e hetimit rreth ekzekutimit mafioz të Bledar Muçajt në mes të qytetit të Lushnjes dy ditë më parë dhe ngurrimi duket se nuk lidhet vetëm me “sekretin hetimor”.

Gazeta "Si" mëson nga burime të shumëfishta se njëra prej pistave ku po hetohet nga grupi hetimor lidhet me aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, që i Bledari dyshohet se drejtonte në zonën e Lushnjes, qytet dhe fshatrat përreth.

Bëhet fjalë për një biznes të shpallur të jashtëligjshëm që në fillim të vitit 2019 nga ana e Qeverisë. Muçaj dyshohet se drejtonte një rrjet të këtij biznesi me lojëra fati, që nga ato që njihen si makineri elektronike (slot machine) e deri te bastet sportive.

Kjo është pista kryesore ku janë zhvendosur hetimet. Grupi hetimor beson se Bledar Muçaj është viktimë e luftës për kontrollin e këtyre lojërave. Burimet thonë se i ai dyshohet se drejtonte prej kohësh këtë biznes në një zonë të zgjeruar, që nga qyteti i Lushnjes, autostradën në drejtim të Rrogozhinës dhe në disa fshatra përreth.

Dyshimet janë që ky biznes i jashtëligjshëm është ngritur në bashkëpunim me një grup kriminal të fuqishëm që vepron në fushën e lojërave të fatit, kryesisht në Fier, Vlorë, Lushnje dhe deri te fshatrat e Elbasanit.

Megjithëse me ligj ndalohen, në Lushnje një pjesë e mirë e qytetarëve ishin në dijeni të këtij aktiviteti, por policia e këtij qyteti jo. Pikërisht, kjo duket të jetë arsyeja kryesore se përse policia hesht në lidhje me hetimet për këtë vrasje.

“Policia në këtë rast ka përgjegjësi të dyfishtë. E para, që dështoi në parandalimin atentatit që vrau një person dhe shkaktoi disa të plagosur dhe e dyta që lejon të lulëzojë nën hundën e saj një aktivitet i paligjshëm, në këtë rast lojërat e fatit”, thonë burimet e Gazetës Si.

Teknologjia si pengesë

Lojërat e fatit janë shndërruar në një biznes fitimprurës për grupet kriminale, që pas shpalljes së jashtëligjshme nuk paguajnë as taksa, tatime e tarifa të tjera në shtet.

Burimet thonë për Gazetën "Si" se ka një mungesë vullneti nga ana e policisë për ta luftuar këtë aktivitet, por më shumë se vullneti është pamundësia e policisë për shkak të burimeve njerëzore dhe specifikës së këtij krimi.

Pjesa më e madhe e personave që përfshihen në këto biznese, thonë burimet, i ushtrojnë ato sot përmes telefonave.

“Në rastet kur dyshohet se një person ushtron këtë veprimtari kriminale ndërhyrja duhet të jetë e shpejtë dhe në koordinim me prokurorin. Ky i fundit duhet të kërkojë kontrollin e telefonit të sekuestruar nga policia, para se të dyshuarit të zhdukin gjurmët prej pajisjes, që do të kërkontë më pas një ekspertizë dhe punë më të madhe”, thonë burimet e gazetës Si.

Problem është edhe ngarkesa që kanë prokurorët e rretheve, të reduktuar në numër për shkak të vettingut, ndërsa pengesa tjetër është koha, kostot dhe burimet njerëzore që kërkon për çdo rast ekspertiza e thelluar te pajisjet telefonike të bllokuara pasi personet e dyshuar kanë fshirë provat prej andej.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë