Nga Gazeta Si- Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 65-vjeçarit Selim Velsula, cili u masakrua me thikë mbrëmjen e së mërkurës nga kushëriri i tij, 32-vjeçari Hazbi Velsula.
Viktima mësohet se jetonte prej vitesh në fshatin Xibër-Murrizë të bashkisë Klos së bashku me bashkëshorten e tij. Rreth orës 16:00, ai i kishte kërkuar gruas që ta ndihmonte për të nxjerrë bagëtinë në pronat e tyre mbi fshat.
Pasi kishte nxjerrë bagëtitë, kushëriri i tij, i cili prej vitesh jetonte Allias të Tiranës i kishte kërkuar viktimës që të afrohej, duke i thënë se kishte “një muhabet”.
Më pas, sipas informacioneve të policisë, të dy janë konfliktuar fizikisht dhe më pas 32-vjeçari e ka sulmuar me thikë duke e goditur disa herë dhe i ka shkaktuar plagë të rënda.
Selim Velsula ka rënë menjëherë në tokë nga goditjet, ndërsa autori është larguar nga vendngjarja duke u arratisur.
Në rrugën e fshatit është gjetur i shtrirë dhe pa shenja jete viktima nga një banor i zonës. Ky i fundit ka njoftuar menjëherë bashkëshorten e viktimës dhe më pas banorët e tjerë.
Pas ngjarjes, autori ka telefonuar motrën e tij ku i ka rrëfyer çfarë ka bërë dhe është nisur për në Allias, në banesën e vëllait të tij.
Motra ka njoftuar policinë dhe pas disa orësh autori i dyshuar është arrestuar.
Fillimisht, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkaqe pronësie por një banor i fshatit thotë se dy familjet nuk kanë pasur konflikte më parë.
Ai tregoi për mediat se nuk ka pasur konflikte mes familjeve. Ai thotë se si punonjës i Njësisë Administrative Xibër, nuk është në dijeni të një ankese që mund të jetë bërë nga familjet.
“U shokuam kur e morëm vesh rastin. Nuk dimë që ka pasur ngatërresa mes familjeve, mendoj se mund të ketë qenë diçka e çastit. Janë kushërinj, por në dijeninë time, nuk kanë pasur ndonjë kontraditë apo konflikt përveç diçkaje të momentit. Unë jam punonjës i njësisë administrative këtu dhe nuk kemi pasur asnjë ankesë nga njëra familje apo tjetra për probleme pronësie, kufijsh”, u shpreh banori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.