Vrasja dhe më pas groposja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu, për të fshirë krimin nga fqinji i tij është tema që është folur në çdo ambient që prej ditës së djeshme.
Në këto raste, kur ndodhin ngjarje të këtyre përmasave dhe pjesë është një fëmijë, si duhet të sillen prindërit në shtëpi si edhe shkolla me fëmijët e tjerë, a duhet të flitet me to si një mënyrë “ndërgjegjësimi” apo është më mirë që fëmijët të lihen jashtë lajmeve të këtyre përmasave?
Eriselda Metaj, psikologe shkolle thotë për Gazetasi.al se në mënyrë të mirëfilltë për ngjarje të tilla nuk duhet t’ju flitet fëmijëve si në shkollë dhe në familje, por është e rëndësishme që të vihet theksi sa më shumë në mënyrën se si duhet të sillen me njerëz të huaj apo dhe njerëz të afërt të cilët mund t’iu afrohen në mënyrë të papërshtatshme, t’iu ofrojnë të mira materiale dhe t’iu kërkoj që këtë ta mbajnë sekret nga prindërit.
“Duhet folur më tepër për mënyrën se si mund t’i parandalojmë në mënyrë që fëmijët të dinë si ti shmangin situata të tilla, me aq sa munden”, thotë Metaj.
Psikologia shpjegon se në raste të tilla, kur në çdo vend dhe çdo minutë flitet për ngjarjen, duhet t’iu ofrohet mbështetje psikologjike fëmijëve që të qetësohen si dhe të kuptojnë se është e rëndësishme të kërkojnë ndihmë dhe të shprehin ngjarje apo situata që ju shkaktojnë parehati.
“Të folurit në mënyrë të drejtpërdrejt për ngjarje të një përmase të tillë do të krijonte ngarkesa psikologjike tek të miturit”, thotë Metaj duke shtuar dhe një herë se më e mira do të ishte që fëmijët të mbahen larg ngjarjeve konkrete të përmasave të tilla dhe të monitorohen se çfarë aksesojnë dhe në rrjetet sociale, pasi dhe aty mund të bëhen pre e situatave të padëshiruara.
Psikologe Migena Kurushi thotë se “sigurisht çdo fëmijë ka të drejtë të informohet në familje dhe në shkollë por duhet një kujdes i madh në mënyrën se si duhet të informohen dhe si duhet të trajtohen këto lloj ngjarjesh tek fëmijët.

“Duke u informuar, duke dëgjuar, fëmija mësohet sesi të zhvillojë mekanizma mbrojtës për mirëqenien e tij”, thotë Kurushi duke shtuar se këto janë tema tepër delikate dhe sigurisht trajtimi i tyre duhet të aplikohet kryesisht në shkolla nga specialistë të fushës, duke patur parasysh se tek shumë fëmijë mund të transmetohet një frikë e madhe.
Një mënyrë efikase për të folur për këto ngjarje me kujdesin që duhet është “inskenimi i situatave nga më të ndryshmet në klasë ku mos të mbizotërojë tensioni, ku fëmija të shpalosi gjerësisht opinionin e tij, sesi mund të shpëtojë veten nëse do të përballet me situata të vështira. Informimi duhet bërë fizikisht nga prindi, mësuesi, psikologu dhe jo të nxitet për ta vizualizuar atë nga virtualiteti pasi fëmijën mund ta kaploj ankthi, paniku etj.”.
Nga ana tjetër, psikologe Arta Naçi thotë se për fëmijët është njësoj nëse ia thua apo jo duke qenë se “do e marrë vesh dhe do tmerrohet nga media, shokët apo nga gjyshërit që flasin mes tyre”.

“Një vend ku askush nuk ruan rolin e tij dhe të gjithë luajnë rolin e tjetrit, si mund të vejë halli i të vegjëlve që janë në duart e të rriturve. Një vend ku rreptësia dhe fortësia lëvdohet dhe promovohet, ku i dobëti dhunohet dhe nëpërkëmbet, kjo shoqëri duhet shkundur mirë përndryshe si ia the, si nuk ia the fëmijës ai do e marrë vesh e do tmerrohet njësoj”, thotë Naçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



