Drejtësia

Vrasja me tritol në Shkodër, një prej 4 të arrestuarve: Mendoja se do e trembnim!

Gazeta Si – Katër të arrestuarit të dyshuar për vrasjen e Hysni Ymerit me tritol më 29 dhjetor, janë lënë në burg nga Gjykata e Shkodrës.

Njëri prej të arrestuarve, Gert Bushati ka pranuar se ka qenë ai që ka vendosur sasinë e tritolit më datë 27 dhjetor në panelin e matësve elektrikë në hyrjen e pallatit ku banonte 69-vjeçari.

Në deklaratën e tij, Bushati ka thënë se tre të arrestuarit e tjerë Edison Hasaj, Gjergj Zefi dhe Ergys Ibrahimi janë personat që e kanë kontaktuar për të vendosur sasinë e tritolit.

Këta të fundit e mohuan të jenë të përfshirë në këtë ngjarje, duke rrëzuar pretendimet që të kenë porositur Bushatin për vendosjen e tritolit.

Autori i dyshuar që vendosi tritolin, Gert Bushati, ka deklaruar se nuk ka patur dijeni se sasinë e eksplozivit do ta vendoste për të vrarë ndonjë person. Ai pretendoi se i është thënë nga porositësit se do të jetë vetëm për të trembur dikë dhe jo për të vrarë.

“Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam patur dijeni për vrasje vetëm për të trembur dikë. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kanë kontaktuar për këtë punë dhe e kam pranuar. Tritolin e kam vënë me datë 27 dhjetor, por pa e ditur se bëhej fjalë për vrasje”- mësohet të ketë thënë Bushati në gjykatë, i cili shtoi se nuk i kishin treguar arsyen përse po e vendosnin lëndën plasëse.

Fillimisht është zhvilluar seanca për tre të dyshuarit e tjera, ndërkohë për 27-vjeçarin që ka pranuar autorësinë e vendosjes së eksplozivit, masa e sigurisë u zhvillua veçmas.

Për sa kohë tre të dyshuarit nuk e kanë pranuar dhe nuk kanë dhënë asnjë detaj, ende mbetet e paqartë cila është arsyeja e vrasjes së Hysni Ymerit.

Më herët, policia ka sekuestruar telefona dhe ka përgjime ambientale, si dhe një sërë provash të tjera që mund të përfshijnë këta tre persona.

Vëllai i viktimës vite më parë, në 1995-ën është dyshuar vrasjen e shtetasit Shefqet Çekorja. Ndërkohë në 2017-ën një kushëri i tij është i dyshuar si autor i vrasjes së mjekut Ilir Aliaj, por u arratis jashtë Shqipërisë pas ngjarjes.

Policia dhe prokuroria janë duke hetuar këto dy pista, por edhe çdo pistë tjetër të mundshme, sepse është ende e paqartë nëse vrasja e Hysni Ymerit lidhet me dy ngjarjet e sipërmendura apo me ndonjë konflikt tjetër.

Ndaj katër të arrestuarve të dyshuar, rëndojnë akuzat “vrasje me paramendime  e kryer në bashkëpunim”, “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “mbajta pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe i municionit”. Gjithashtu ndaj tyre rëndojnë akuzat për “prodhim dhe shitje e narkotikëve në bashkëpunim” si dhe “prishje e qetësisë publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë