Partia Demokratike thotë se arrestimet në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan synojnë që të fshehin ngjarjen dhe përgjegjësitë e vërtetë të saj.
“Në përpjekje për të manipuluar dinamikën e ngjarjes, dhe përfshirjen në të zyrtarëve të lartë, Policia ka bërë dy arrestime të cilat nuk zbulojnë gjë, por fshehin. Nuk bëjnë drejtësi, por e varrosin atë. Arrestimi i dy zv/ drejtorëve dhe pezullimi i 6 policëve, nuk është gjë më shumë se hi syve opininionit publik. Nuk është asgjë më shumë se përpjekja e dytë për të kaluar nga manipulimi fillestar në varrosjen përfundimtare të ngjarjes”, deklaroi Flamur Noka.
Sipas Nokës, përgjegjësit e vërtetë janë shumë më lart se sa niveli i arrestimeve të kryera.
“Ngjarja tragjike e prillit të shkuar në Elbasan, ka shënuar dje edhe një viktimë tjetër: Të vërtetën. Përgjegjësit e ngjarjes së Elbasanit, si në ngjizje, dhe më pas në shtrembërim të provave, i keni sot, ‘lart e më lart’, në zyrat e shtetit. I keni në personin e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu. Sot, ai i ka ikur detyrës së atëhershme, dhe është graduar zv/ministër i Transporteve, por nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë. I keni në personin e Alfred Shehut, prokurorit manipulator të provave të ngjarjes që ‘e fluturoi’ me ngritje nga Elbasani në SPAK”, shtoi Noka.
Sipas deputetit, arrestimi i dy zv.drejtorëve nuk lidhet me hetimet e policisë në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit para zgjedhjeve të 25 prillit, por me rrëfimet e Nuredin Dumanit.
“Asnjë prej tyre nuk u hetua, prej më shumë se një viti, dhe as do të hetohej kurrë. Nuredin Dumani, një vrasës me pagesë, u kthye në polic, prokuror dhe SPAK të Republikës, sepse, kur Republika kthehet në kriminale, janë kriminelët që e rrëzojnë atë përmbi kalbjen e saj”, deklaroi Noka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




