Ka ndodhur

Vrasja e vëllezërve Bilali në Shkodër, 2 në pranga, në kërkim ekzekutori

Zbardhet vrasja e dyfishtë në Shkodër, e ndodhur më 30 mars 2019, ku mbetën të vrarë dy vëllezër, Astrit dhe Ibrahim Bilali.

Në sajë të operacionit policor “Livadhe”, u vunë në pranga dy persona si autorë të dyshuar të vrasjes. Po ashtu janë shpallur në kërkim dhe dy persona të tjerë.

Policia bën me dije se kanë përfunduar në pranga shtetasit: Arsen Stojku, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Myslym Rama, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim e shtetasit Ibrahim Lici, 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes, si dhe e shtetasit D. B., 29 vjeç, për veprën penale të “Përkrahja të autorit të krimit”. Vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tyre.

Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.
Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tri aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre.

Ndërkohë, vazhdon puna për hedhjen dritë mbi motivin e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Vrasja e vëllezërve Bilali
Më 30 mars Shkodra u trondit nga vrasja e dy vëllezërve, Ibrahim (Baç) dhe Astrit Bilali. Krimi i rëndë ndodhi në një zonë periferike, e njohur si ish-Zooteknika, apo lagja e Kirasit.

Siç u raportua, ndaj tyre u zbrazën më shumë se 10 plumba. Autorët kishin studiuar shumë mirë lëvizjet dhe kanë pritur që dy vëllezërit të dalin nga banesa.

Aty i qëlluan me armë, duke i lënë të vdekur në vend.
Pas vrasjes së dy vëllezërve, në afërsi të vendngjarjes u gjet edhe një makinë, të cilës i është vënë flaka.

Një skenar ky tipik mafioz, që njihet edhe në vrasjet e tjera të mëparshme në qytetin verior. Viktima Brahim Balili njihej në Shkodër si pjesëtar i lëvizjes demokratike rreth viteve ’90. Ai ishte kryetar i Shoqatës “2 prilli 1991” në Shkodër.

Ndërsa, viktima tjetër, Astrit Bilali është babai i Astmer Bilalit, boksieri që ishte në atentatin që iu bë biznesmenit Arjan Ferracaku më 1 shtator 2018.

Ish-boksieri Bilali u arrestua si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë