Drejtësia

Vrasja e Vajdin Lames, SPAK kërkon pushimin e hetimeve për Lulzim Berishën dhe Plarent Dervishajn. Nuk provon dot implikimin e tyre në atentat

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e hetimeve për Lulzim Berishën dhe kunatin e tij Plarent Dervishaj (të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia), të cilët akuzohen si të përfshirë në vrasjen e  biznesmenit Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsin.

Pas tre vitesh hetime, SPAK nuk ka mundur të provojë implikimin e dy figurave kryesore të krimit në vrasjen e dyfishtë me tritol të ndodhur në muajin shkurt 2005 në Tiranë.

Nisur nga kjo situatë, pak ditë më parë SPAK, ka vendosur të kërkojë në gjykatë pushimin e ndjekjes penale për dy ish-anëtarët e bandës së shtuquajtur të Durrësit.

Tashmë për vrasjen e Lames akuzohen vetëm Emiliano Shullazi dhe Viktor Ymeri, të cilët janë marrë të pandehur dhe vijon procesi gjyqësor.

Njëherësh, prokurorët e SPAK, kanë kërkuar shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” të marrë në mungesë ndaj Berishës dhe Dervishaj.

Por me shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” nuk do të thotë që Berisha dhe Dervishaj ti shpëtojnë ndjekjes së policisë.

Kjo pasi të dy personazhet janë në kërkim dhe janë marë të pandehur lidhur me ngjarjen e vrasjes së mikut të tyre, Klodian Saliu, ngjarje kjo e ndodhur në 25 shkurt 2005 në afërsi të Durrësit.

Sipas dosjes hetimore dy personat u dyshuan si pjesëmarës në vrasjen e Vajdin Lamaj dhe Artan Arsit, pas dëshmisë së dhënë nga bashkëpunëtori i SPAK, Luftar Reçi, i cili ka treguar se sasinë e tritolin të përdorur në vrasjen e Vajdin Lamaj, e ka montuar Joshko Çervenkovski në prezencë të Indrit Taullait, Lulzim Berishës, Plaurent Dervishaj dhe Luftar Rreçit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë