Gazeta Si- Gjykata e Posaçme ka vendosur të pushojë hetimin e nisur ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishajt, për akuzën e vrasjes së biznesmenit Vajdin Lamaj në vitin 2005.
Vendimi vjen pas kërkesë së SPAK, i cili kërkoi pushim të hetimeve, por GJKKO e ktheu dosjen për plotësim të provave dhe fakteve.
Akuza ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishaj u ngrit pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi.
Disa vite më parë, Reçi foli për veprimtarinë kriminale të Lulzim Berishës dhe anëtarëve të tjerë të bandës së tij. Vajdin Lame, u vra në 27 shkurt të vitit 2005.
Së bashku me mikun e tij Arsi, ai u ekzekutua me një sasi eksplovizi, e cila ishte vendosur ne ashensorin e pallatit ku jetonte në Tiranë pranë zonës së stadiumit “Air Albania”.
Lame vdiq në vend, ndërsa Artan Arsi ndërroi jetë rrugës për spital. Për ngjarjen e shkurtit të vitit 2005, janë marrë të pandehur Emiljano Shullazi, Indrit Rusi, Viktor Ymeri dhe Indrit Taullai.
Dervishaj, i cili akuzohet edhe për vepra të tjera penale (grup të strukturuar kriminal dhe trafik droge), u ekstradua para pak javësh nga Dubai, pasi ishte shpallur në kërkim.
Ndërsa Lul Berisha, edhe ky i dënuar më parë, u arrestua dhjetorin e vitit t shkuar në Alicante të Spanjës për llogari të drejtësisë shqiptare.
Ndaj tij rëndojnë një sërë akuzash. Në vitin 2012, ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në korrik 2014 nga Gjykata e Lartë.
Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite më pas ai u lirua nga burgu në dhjetor 2016.
Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.