Drejtësia

Vrasja e Tauland Beqirajt, Apeli lë në fuqi dënimin e Gjykatës së Vlorës për autorët

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimet për autorët e vrasjes së Tauland Beqirajt, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2021 në Vlorë.

Gjykata la në fuqi dënimin me 14 vite burg për Elton Hajnajn. Ai u dënua me 21 vite burg, por ndaj tij u zbatua gjykimi i shkurtuar, duke përfituar uljen e 1/3-tës së dënimit.

Dënimet u lanë në fuqi edhe për dy personat e akuzuar si bashkëpunëtorë të Hajnajt, Skerdian Gabrani dhe Andi Jonuzaj. Gabrani ishte dënuar në shkallën e parë me 6 vite burg, ndërsa Jonuzaj me 4 vite burg.

Për këtë ngjarje u dënua me 6 vite burg edhe miku i viktimës, me iniciale S.Z., i cili pas vrasjes së Beqirajt qëlloi në drejtim të autorëve që u larguan me makinë.

Taulant Beqiraj u vra në një nga zonat më të populluara të Vlorës, në rrugën Transballkanike, pranë Gjykatës së Apelit.

Atentati u krye kur viktima, asokohe 31 vjeç, ishte duke ecur në këmbë në trotuar. Nga pamjet filmike, duket autori i vrasjes që zbret nga një mjet, i maskuar dhe ka qëlluar me breshëri ndaj Beqirajt duke e lënë të vdekur në vend.

Pas vrasjes, autori u përpoq të largohej me makinë, por u arrestua në një prej rrugëve dytësore që të nxjerr në autostradën Vlorë-Fier. Sipas informacioneve të kohës, në momentin e vrasjes, viktima duhej të ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Viktima ishte person me precedent penal i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Ai përdorte disa identitete, ai njihej edhe si Taulant Beqiraj, edhe si Taulant Manaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë