Gazeta Si – Kamerat e sigurisë në rrugë kanë regjistruar me çdo detaj të ekzekutimit të 47-vjeçarit shqiptar Artur Bashimi në rrugën Michael Voda, në Agios Panteleimonas.
Sipas mediave greke, kamerat kanë filmuar autorin, një burrë me gjatësi mesatare, të veshur me rroba të errëta dhe me skafandër në kokë që mbërrin në vendngjarje me një motor.
Më pas, ai ka parkuar motomjetin dhe ka pritur në këmbë objektivin e tij. Kur 47-vjeçari mbërriti, autori i krimit iu afrua dhe hapi zjarr. Një plumb nga pistoleta e goditi viktimën në gjoks.
Autori e tërhoqi këmbëzën për herë të dytë, por arma u bllokua. Në video shihet duke tërhequr këmbëzën dhe një fishek i ra në tokë, të cilin policia e gjeti së bashku me gëzhojën e zbrazët.
Menjëherë pas kësaj, personi i armatosur u zhduk me motorin që kishte përdorur për të arritur në zonë.
Artur Bashimi rezulton i arrestuar në shkurt 2022 si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje në mjetet e transportit publik.
Ai është arrestuar sërish më pas në prill 2024, po si pjesëtar i një grupi kriminal që kryente vjedhje në Greqi.
Ndërkohë, media greke “Skai” shkruan se Artur Bashimi rezulton të jetë vëllai i 38-vjecarit Marsel Bashimi alias Marsel Shkurtaj alias Marsel Gozhita, person me precedentë të rëndë penalë në Greqi e Shqipëri.
Marsel Bashimi në korrik 2022 u arrestua bashkë me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, si autorë të një ngjarjeje të rëndë me përdorim armësh në Greqi. Jambelli e Leci akuzohen në Shqipëri si autorë të vrasjes së Komisar Artan Cukut në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë në vitin 2018.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



