Gazeta Si – Gjykata e Lartë vendos të prishë dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, i dënuar për vrasjen e ish-policit, Santiago Malko, gushtin e vitit 2019 në Tiranë. Sipas Gjykatës së Lartë, dosja do të kthehet për rigjykim në Apel me një tjetër trupë gjykuese.
Në qershor 2022, Teta u dënua në Apel me 25 vite burg, duke konfirmuar vendimin që e shpallte fajtor për vrasjen e ish-efektivit të Policisë.
Malko u ekzekutua më 27 gusht 2019 brenda makinës së tij, ndërsa Teta u shpall fajtor në Shkallën e Parë për “vrasje për hakmarrje”.
Malko ishte i dyshuar si i përfshirë në vepra të ndryshme penale. Një ndër to, ka qenë edhe një ngjarje në vitin 2018, në zonën e ish-Kinostudios, ku mbetën të plagosur dy vëllezër, Juxhin dhe Rivelino Mumajesi. Ngjarja është ende pa autor, por Malko ishte i dyshuari kryesor.
Teta ka mohuar të kishte marrë pjesë bashkë të tjerët në vrasje, por pranon se ka qenë në drekën pas të cilës SPAK thotë se është finalizuar plani për vrasjen e Malkos.
Para Gjykatës, Blendi Teta, gjithashtu ka treguar se pas ngjarjes, është marrë peng nga Ervis Martinaj që i ka kërkuar vendndodhjen e dy vëllezërve Duka.
Për vrasjen e ish policit Santiago Malko është dënuar Blendi Teta si bashkëpunëtor me 25 vite burg dhe 28 vite burg Ilir Selmani. Vendimet janë lënë në fuqi edhe nga Apeli.
Një breshëri plumbash u derdhën mbi Santiago Malkon në gusht 2020, duke e lënë atë të vrarë në vend. Krimi i mirëplanifikuar nga vrasësit ka forcuar dyshimet e policisë se 26-vjeçari është ekzekutuar për hakmarrje.
Sipas SPAK-ut, organizatorë dhe porositës të vrasjes janë shtetasit Leonard Duka, Erlis Duka, Oltian Loga, Aleksandër Manxhaku dhe Dritan Agaj, teksa Prokuroria e Posaçme dyshoi se motivi i krimit ishte përplasja e dy grupeve kriminale në Tiranë.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh mes grupit të Ervis Martinajt (i zhdukur që nga gushti 2022) dhe vëllezërve Duka për zotërimin e lojërave të fatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.