Gazeta Si – Eris Mehmeti, përpara oficerëve të policisë, ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen e Renato Hoxhaj në Vlorë, më 27 prill.
Megjithatë, ai ka pranuar faktin se automjeti është në pronësi të tij, duke deklaruar në polici se makina është e njëjtë me atë që zotëron.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se automjetin ia kishte lënë për përdorim një miku të tij, pasi ky ia kishte kërkuar dhe se nuk ka dijeni se për çfarë është përdorur më pas makina.
Pavarësisht nga pretendimet, Mehmeti është lënë në burg nga Gjykata e Vlorës, i dyshuar për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes së Renato Hoxhaj.
Nga hetimet e deritanishme, policia dyshon se automjeti mund të jetë çmontuar në ndonjë pikë skrapi ose në servis, ndaj po zhvillohen hetime edhe në këtë drejtim.
Si provë të rëndësishme, policia ka në dorë dy video të autorit të dyshuar të krimit, e publikuar nga Gazetasi.al., i cili argohet nga vendngjarja menjëherë pas ekzekutimit mëngjesin e së dielës në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorës.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar autorin që kalon rrugën, për të cilin policia po kryen hetime për t’i zbuluar identitetin e tij.
Siç duket edhe në këto video, ai është trup i shëndetshëm, e për të mos u identifikuar ka qenë tërësisht i maskuar.
I veshur sportiv, në kokë ka një kapele, fytyrën e ka të mbuluar me një maskë anti-covid dhe përpara mban një çantë krahë-qafë.
Ndonëse sapo ka kryer ngjarjen e rëndë, ai lëviz qetësisht dhe gjatë të gjithë kohës duar i mban në xhepa.
Pasi është larguar nga vendngjarja, burime bëjnë me dije se vrasësi ka lëvizur me një automjet në drejtim të zonës së Ksamilit.
Renato Hoxhaj, i cili më herët ka mbajtur emrin Alfred, u qëllua me 3 plumba, sapo doli nga banesa e tij, mëngjesin e së dielës. 58-vjeçari punonte si roje në një objekt në ndërtim.
Nga verifikimet ai nuk rezulton të ketë patur precedent në të shkuarën, megjithatë policia dhe prokuroria nuk e përjashton mundësinë e ndonjë konflikti ku mund të ketë qenë i përfshirë viktima.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.