Ka ndodhur

Vrasja e policit Xhulio Prela në Lezhë, arrestohet një nga autorët

Arrestohet një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së policit në Lezhë, Xhulio Prela.
Policia thotë se bëhet fjalë për Nikoll Sherrnikun.
Autoritetet kanë arrestuar 26-vjeçarin Nikoll Shernikun pasditen e djeshme (19 dhjetor) ku u bë dhe ekzekutimi i masës së sigurisë arrest me burg të dhënë nga gjykata e Lezhës në mungesë.

26-vjeçari Nikoll Sherrniku

Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim dhe një person tjetër me iniciale B. M. i dyshuar si bashkautor në vrasjen e 26-vjeçarit në aksin rrugor Lezhë-Milot në zonën e Gajushit.
Personi i cili është shpallur në kërkim nga policia si bashkautor është B.Martinaj, kushëriri i biznesmenit Ervis Martinaj.
Ky i fundit është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë, pasi ka qenë i përfshirë në vrasjen e regjistruar më datë 4 tetor në zonën e ish-Bllokut.
Policia njofton se efektivi Xhulio Prela dhe 2 personat, kanë filluar konfliktin për shkak të dritave të gjata të makinës.
Efektivi i FNSH-së, Xhulio Prela u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të datës 5 dhjetor me një plumb në gjoks teksa po kthehej nga Shkodra për në Tiranë.
26-vjeçari është nisur nga Tirana për në aeroportin e Rinasit në orën 01:00 të natës për të marrë një mikun e tij e për ta dërguar drejt fshatit Kosmaç në Shkodër.
Pasi e dërgoi mikun e tij në Shkodër, gjatë kthimit efektivi i policisë ka parë një automjet, dhe një person që kishte dalë nga makina, po ia bënte me drita me një elektrik dore. Hetuesit dyshojnë se punonjësi i policisë Prela, ka menduar që personi që ia ka bërë me drita, ka kërkuar ndihmë, ndaj dhe Prela është kthyer mbrapsht.
Ai ka kthyer makinën me drejtim nga Tirana në Lezhë, dhe i është afruar personin që ia ka bërë me dritë. Ka ulur xhamin dhe ka parë një individ, që sipas policisë, ka shumë gjasa që ta ketë njohur.
Punonjësi i policisë ka tentuar të largohet me shpejtësi, ndërkohë është përballur me të shtënat e armës, një pistoletë tip TT që kishte agresori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë