Nga Gazeta ‘Si’-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vrasjes së policit në veri të Kosovës.
Konjufca thotë se ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues të Kosovës, ndërsa i bën thirrje SHBA e BE që të dënojnë agresionin.
Ai e quan sulmin terrorist dhe kriminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia.
“E dënoj ashpër sulmin terrorist dhe kriminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia nga i cili një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës.
Ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës.
Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë.
Autorët e këtij krimi, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq i ftoj institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë”- shkruan kryetari i kuvendit të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




