Kosova

Vrasja e policit, Kurti: 30 persona të armatosur rëndë janë rrethuar nga policia në Zveçan. Po qëllojnë drejt efektivëve! Të dorëzohen

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit e konsideroi këtë të diel një ditë të rëndë për Kosovën.

Në konferencë për mediat pas vrasjes së efektivit të policisë në veri, Kurti deklaroi se 30 persona të armatosur rëndë janë rrethuar nga policia në Zveçan dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen.

Kurti tha se ky formacion me profesionistë është mbyllur brenda manastirit në Banjskë dhe po vijon sulmet ndaj policisë së Kosovës.

“Sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë që ndodhen nën rrethimin e forcave policore. I ftoj të dorëzohen.

Vrasja e zyrtarit policor duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave, strukturave ilegale, krimit e terrorizmit, që e cenojnë sigurinë qytetarëve dhe rendin kushtetues”, tha Kurti ndërsa shfaqi disa fotografi në ekran ku shtoi se banorët lokalë serbë nuk kanë automjete të tilla dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës.

“Përveç makinave aty ka edhe një autoblind që nuk është i policisë së Kosovës. Është e qartë që këto persona që janë të paktën 30 vetë paraqesin një formacion të organizuar që duket se ka ardhur të luftojë në Kosovë por unë ju bëj thirrje që t’u dorëzohen organeve të drejtësisë. Kosova është vend demokratik dhe u përket të gjithëve pa dallim etnie dhe cënime të tilla janë të patolerueshme”, ka thënë ai.

“Organet tona të sigurisë dhe prokuroria, me siguri, do të zhvillojnë hetime për të kuptuar më shumë për këto uniforma. Unë u bëj thirrje të gjithë atyre, edhe si formacion, edhe si individë që t’iu dorëzohen organeve të sigurisë, të cilat e kanë vendosur perimetrin rreth tyre në Banjskë”, tha Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë