Drejtësia

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, dëshmojnë anëtarët e ish-strukturës së Mbrojtjes së Votës në PD

Gazeta Si – Anëtarët e ish-strukturës së Njësisë së Mbrojtjes së Votës në Partinë Demokratike, kanë dëshmuar këtë të premte në një tjetër seancë maratonë ndaj Arbër Paplekaj, i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill 2022.

I pari ka dëshmuar Arjan Hoxha, ish-përgjegjës i sigurisë për shtabin elektoral të subjektit politik Partia Demokratike për qarkun Elbasan. Në vijim kanë dëshmuar Erjon Demushi, Pavlo Vuksani dhe Nuredin Kasmi.

Burimet bëjnë me dije se dëshmitarët i kanë qëndruar dëshmive të para rreth ngjarjes. Në listë janë në cilësinë e dëshmitarëve okularë plot 59 persona, përfshirë dhe punonjësit e policisë së Shqiponjave dhe dy ish-zëvendës drejtorët e Policisë.

Në seancën e mëparshme, janë shqyrtuar pamjet filmike të vendit të ngjarjes ku u vra Pjerin Xhuvani, të cilat shkaktuan konfuzion mes palëve në Gjykatën e Elbasanit, pasi pamjet e sekuestruara nga kamerat rrotull vendit të ngjarjes në lagjen “5 Maji” në Elbasan në 21 prill 2021 nuk janë të qarta.

Për vrasjen e bujshme të ndodhur pak ditë para zgjedhjeve parlamentare u vetë-dorëzua Arbër Paplekaj, truprojë i drejtuesit politik të PD në Elbasan në atë kohë Gazmend Bardhi.

Seanca e radhës u shty për më datën 1 shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë