Nga Gazeta Si- Prokuroria e Durrësit ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Hysen Metës, i cili akuzohet se vrau babain e tij Pëllumb Meta dhe i groposi trupin. Gjithashtu kërkohen edhe 3-30 vite burg për pjesëtaret e tjerë të familjes që bashkëpunuan në krim. Ndërkohë, për vajzën e viktimës, Hygerta Meta, është kërkuar 30 vite burgim.
Të akuzuarit e tjerë në këtë proces janë edhe vëllai tjetër Amarildo Meta, si dhe nëna e tyre apo bashkëshortja e viktimës Blerina Meta.
Për Amarildo Metën, akuza kërkon të dënohet me 5 vite burgim për fshehjen dhe asgjësimin e kufomës, ndërsa nëna e fëmijëve të dënohet me 3 vite për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të Shënavlashit në Durrës, që u zbulua më 10 shkurt 2024.
Në kuadër të hetimeve u provua se të Hyseni dhe Hygerta, motër e vëlla, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vendosur dhe planifikuar vrasjen e babait të tyre, Pëllumb Meta.
Pasi kanë menduar dhe thurur me qetësi planin e tyre për të vrarë babain, janë përgatitur duke marrë masat për vendin ku do të realizonin vrasjen, për mjetin me të cilin do ta kryenin duke siguruar një armë zjarri, plan ky i realizuar në datë 10.02.2024.
Babai i tyre ka lënë punën në orët e para të mëngjesit të kësaj dite dhe është larguar për në banesën e tij. Rreth mesditës, viktima ka qenë në kuzhinën e banesës, kohë në të cilën djali i tij, në prani edhe të të motrës, pasi ka marrë një armë zjarri pistoletë, ka qëlluar në drejtim të babait të tij katër herë. Një prej plumbave nuk ka prekur trupin e viktimës, ndërkohë që tre prej tyre, një në kokë dhe dy në trup kanë rezultuar fatal duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Të dy më pas kanë vazhduar me mbështjelljen e trupit, groposjen e trupit të viktimës në kasollen e bagëtive e cila ndodhej disa metra larg banesës. Pas kryerjes së krimit, janë siguruar se të gjitha gjurmët janë fshehur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



