Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për Nikoll Sherrnikun, 28-vjeçarin që akuzohet se ka ndihmuar atentatorët e ngjarjes së “Don Boskos” në kryeqytet, ku mbeti e vrarë banakierja Mimoza Paja.
Gjatë seancës për masën e sigurisë, Sherrniku mohoi akuzën dhe pretendoi se ka qenë në burg kur ka ndodhur atentati.
Por hetuesit thonë se kanë prova që e lidhin tëriun me ngjarjen. Sipas tyre, targat gjermane që u gjetën në makinën e djegur të atentatorëve, ishin siguruar prej tij.
Sherrniku pranon se targat provizore gjermane i ka sjellë në Shqipëri dhe pas targimit të makinës së blerë në Gjermani targa shqiptare, të dyja targat i ka braktisur në një vend që nuk e kujton dot se ku.
"RE HX 112" është targa në të cilën kanë përdorur atentatoret në atentatin me armë ndaj lokalit të Fatjon Muratit në zonën e Don Boskos në Tiranë.Këto targat gjermane janë futur në 2020 në Shqipëri përmes Kosovës nga Nikoll Shërrniku.
Blerja e targave nga 28-vjeçari është konfirmuar për hetuesit shqiptarë edhe nga përfaqësuesit e servisit në Gjermani ku u morën nga Sherrniku.
Gjatë hetimit, Prokuroria e Tiranës ka siguruar dëshminë e një shtetasi kosovar, pronar i një servisi në Gjermani, që tregon se Sherrniku i ka marrë tre targa.
Sherrniku ndodhet i arrestuar që prej gushtit të vitit 2022 për një tjetër ngjarje kriminale, por dyshohet se i ka marrë targat në Gjermani përpara kësaj kohe dhe ia ka dhënë anëtarëve të një grupi kriminal.
Ai u arrestua në gusht të vitit 2022 nga Policia e Lezhës, teksa qarkullonte me municion luftarak dhe makinë të blinduar.
Në momentin e arrestimit ai ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi” pas dyshimeve se është i implikuar në vrasjen e ish-policit Xhulio Prela në vitin 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.