Drejtësia

Vrasja e Menduh Kurtdedës në 2017-n, shkon për gjykim dosja ndaj 3 të akuzuarve

Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka mbyllur dosjen dhe dërgoi në gjykim shtetasit Marjeta Karaj, Besmir Karaj dhe Gazmir Ngota si autorë të vrasjes së shtetasit Manduh Kurtdeda në vitin 2017 për një borxh të pashlyer.

Ngjarja kriminale u zbulua pas 5 vjetësh nga policia, me autorët e dyshuar që u identifikuan në dhjetor të vitin 2022.

Policia arrestoi në 15 dhjetor të vitit të shkuar Marjeta Karajn dhe Gazmir Ngotën, pas rrëfimit nga ana e këtij të fundit, ndërsa djali i gruas, Besmir Karaj, i cili dyshohet si i përfshirë në krim, është shpallur në kërkim.

Sipas Prokurorisë, Marjeta Karaj, e punësuar si sekretare në një OJF, ka pasur mosmarrëveshje me Kurtdedën në lidhje me menaxhimin e fondeve të shoqatës.

Në vitin 2017, djali i Marjetës, Besmir Karaj dhe miku i tij, Gazmir Ngota me kërkesë të saj, kanë marrë të ndjerin në makinë dhe e kanë transportuar në Kodër Shupal në zonën e Dajtit.

Aty e kanë lidhur dhe ushtruan presion për kthimin e një borxhi që Marjeta Karaj, pretendonte se i ndjeri i kishte. Në momentin që viktima ka mohuar borxhin dy personat i kanë vënë flakën.

Në njoftimin e Prokurorisë theksohet se Gazmir Ngota është penduar dhe ka pranuar të gjithë ngjarjen, në zonën e Dajtit, ku shkak u bë një borxh prej 10 milionë lekësh që viktima nuk ia kishte shlyer Marjeta Karajt, me të cilën kishin krijuar një fondacion për kujdesjen e fëmijëve jetim të ushtarakëve.

Këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut shtetasin Menduh Kurt–Deda, i cili fshihej prej kohësh si pasojë e borxhit të pashlyer, e kanë marrë me forcë në automjet dhe më pas kanë shkuar në zonën e Alliasit ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Më pas dy shokët, Besmir Karaj dhe Gazmir Ngota e çuan atë në zonën e Dajtit në vendin e quajtur “Kodër Shupal” dhe pasi e kanë dhunuar dhe lidhur 61-vjeçarin e kanë djegur.

Në atë kohë trupi i pajetë u gjet nga barinjtë në zonë. Idenfifikimi u bë nga ADN-ja në këmbën e majtë, e cila ishte më pak e dekompozuar. Ata akuzohen për veprën penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë