Nga Gazeta ‘Si’- Prindër të shumtë janë mbledhur paraditen e sotme te shkolla “Fan Noli”, 6 ditë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij.
Ata kanë lexuar disa kërkesa drejtuar qeverisë, mes tyre dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe kanë paralajmëruar protestë ditën e hënë në orën 17:00.
“Kjo dorëheqje do krijonte precedent dhe modelin e të mbajturit përgjegjësi. Kjo gjë nuk do të mjaftonte po do hapte një shteg drejt zgjidhjes së kësaj drame. Kësaj shkolle i kishim besuar edukimin e më të shtrenjtëve të saj ndërsa ata nuk arritën t’i mbrojnë as jetën. Kjo ministre nuk ofron veç zgërdhirje dhe arrogancë, kur artikuluam kërkesat tona për shkollë më të mirë për të krijuar një shoqëri më të mirë nesër.
Ne do jemi të hënën para ministrisë së Arsimit për të thënë se nuk e tolerojmë këtë model dhe nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë. Nuk është rrufe në qiell të hapur por sinjal për secilin prej nesh që të reagojë sa nuk është vonë.
Kërkesat tona, janë:
-Shtimi i buxhetit për arsimin me 5% të GDP
-Plotësimi i shkollave me infrastrukturë dhe stad mbështetës
-Çdo shkollë të ketë psikolog
-Qëndrimi i fëmijëve në shkolla deri në orën 16:00, duke ofruar ushqim dhe mundësi për të bërë detyrat
-Të hiqen telefonat në orën e mësimit
-Çdo shkollë duhet të ketë oficer sigurie
-Dorëheqjen e Ministres së Arsimit.
Nuk largohemi nga sheshi derisa kërkesat të plotësohen, nëse ministria vijon me neglizhojmë konsiderojmë edhe bojkotin e mësimit si formë të reagimit tonë”, tha Migen Qeraxhi nga Qëndresa Qytetare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.