Gazeta Si – Gjykata e Apelit në Tiranë, ka vendosur të lirojë nga burgu tre personat e dyshuar për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço, duke zëvendësuar masën e “arrestit në burg”, me “arrest shtëpie”.
Bëhet fjalë për Valter Mollajn, Edlir Mollajn dhe Bleti Angjon, të cilët akuzohen për vrasjen e 26-vjeçarit në Kolanec të Maliqit.
Vendimi i Apelit u mor me argumentin se janë tejkaluar afatet e hetimeve dhe se prokuroria nuk ka paraqitur prova të reja që t’i lidhin drejtpërdrejt me ngjarjen.
Ndërkohë, për Tina Pajollarin, gjykata ka vendosur vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Megjithatë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Vrasja e të riut ndodhi në qershor të vitit 2022, kur ai u qëllua për vdekje dhe më pas trupi i tij u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq.
Tre të dyshuarit u arrestuan fillimisht pas dëshmisë së Pajollarit, e cila aktualisht ndodhet në burg për këtë çështje.
Vajza dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes dhe dëshmia e saj ishte vendimtare për arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Fillimisht i riu u mbyt me litar e më pas trupin e tij e hodhën në rezervuar, aty ku u gjet pa shenja jete nga policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



