Drejtësia

Vrasja e Martin Çeços do të gjykohet nga e para, Apeli rrëzon vendimin për 83 vite burg për të pandehurit

Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë vendimin e dhënë nga Gjykata e Korçës, që parashikonte një total prej 83 vitesh burg për të pandehurit në çështjen e vrasjes së Martin Çeços, duke ndjekur kërkesën e Prokurorisë.

Me vendimin e sotëm, trupa gjykuese e Apelit me relatore Marsela Pepi dhe anëtarë Genti Dokollari e Irena Brahimi ka vendosur prishjen e këtij vendimi dhe kthimin e çështjes për rigjykim në të njëjtën gjykatë, por me një trupë tjetër gjyqësore.

Më herët, Gjykata e Korçës dënoi katër autorët me 83 vite burgim në total, nga të cilat 20 vite do i vuante Martina Pajollari.

E reja ishte në një lidhje me viktimën, por nga hetimet e prokurorisë rezultoi se ajo kishte nxjerrë në pritë 26-vjeçarin.

Dyshohet po ashtu se gjatë kohës që ka qenë në një raport dashurie me të riun, ka patur lidhje me një nga kushërinjtë Mollaj, që u dënuan për krimin e rëndë të tre viteve më parë.

Rasti që tronditi Maliqin

Martin Çeço u vra më 12 qershor 2022. I riu u gjet i mbytur me litar dhe i hedhur në rezervuar pas dy ditësh që kishte humbur kontaktet me familjen.

Policia dhe Prokuroria e Korçës arrestuan si të dyshuar të ngjarjes kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollajn nga fshati Marjan i Korçës dhe bariun e tyre Bledi Angjo. Sipas hetuesve motiv i ngjarjes ishte fakti se viktima ishte në një lidhje me Martina Pajollarin, me të cilën u tha që ishte paralelisht në një lidhje edhe me njërin prej kushërinjve.

Më pas prokuroria vuri në bankën e të akuzuarit dhe Martina Pajollarin si bashkëpunëtore në këtë ngjarje, pasi u dyshua se kishte nxjerrë në pritë viktimën.

Sipas palës mbrojtëse në gjykim, në asnjë moment nuk u vërtetuar direkt apo indirekt lidhja e të pandehurve me viktimën.

Mbrojtja në seancë e kryer nga avokatë të ndryshëm, artikuloi se nuk është kërkuar nga prokuroria vënia në dispozicion e materialeve nga kompania “Meta” ku është pretenduar se viktima dhe autorët e dyshuar kanë pasur kontakt.

Ndërkaq sipas tyre në gjykatë asnjë provë nuk vërteton që Valter dhe Edlir Mollaj të kenë kryer ketë krim dhe paralajmëruan apelim të vendimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë