Nga Gazeta Si- Me një forcë të jashtëzakonshme, prindërit e 14-vjeçarit Martin Cani folën për mediat dhe thanë se nuk duan hakmarrje.
“Ishte shumë fëmijë i dashur, ku ta gjej djalin unë? Martini thoshte do bëhem futbollist i madh. Ne nuk jemi njerëz që duam hakmarrje, duam paqe, duam të punojmë, ne duam të largohemi nga këtu, të shkojmë në SHBA te vëllai im. Mos i ndodhtë askujt. Dua ti jap mesazh njerëzve, askush nuk do ta bëjë djalin kriminel, këtë e besoj”, u shpreh i ati.
I pyetur nëse do pranonte të komunikonin me babanë e autorit të dyshuar të vrasjes së djalit të tyre, i ati i viktimës u shpreh se nuk ka pasur asnjë kontakt me babanë e autorit të dyshuar, i cili aktualisht ndodhet në spital.
“Jam kaq i tronditur sa nuk e përballon dot truri të ketë mendje të kthjellët të përballojë këtë lloj fatkeqësie, nuk jam njeri hakmarrës, jam njeri që buzëqesh, dua që njerëzit të kenë paqe dhe lumturi”, tha ai.
I pyetur nga Top Channel nëse ka folur me mësuesit apo persona të tjerë në shkollë për përleshjen fizike midis dy fëmijëve, babai i Martinit tha se nuk kishin asnjë lloj informacioni.
“S’kam asnjë lloj informacioni, s’do kishte prind që do e lejonte fëmijën e vet të ketë sherre. Asnjë lloj informacioni nuk kishim. Nuk kemi pasur kontakt, nuk e di, edhe ai si prind nuk besoj se do të jetë krenar se ka djalin kriminel, s’kemi pas asnjë lloj kontakti”, tha babai i Martinit.
E gjithë Shqipëria u trondit të hënën pas ngjarjes tragjike, ku 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë dhe një tjetër u plagos nga një bashkëmoshatar i tyre.
Ngjarja ndodhi pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku pas një sherri që dyshohet se kishte nisur disa ditë më parë. 14-vjeçari, M.P. i arrestuar tashmë goditi disa herë me thikë Martin, plagë të cilat i morën jetën.
Ndërkohë, babai i autorit u shpreh se e ndan dhimbjen përgjysmë me familjen e viktimës ndërsa shtoi se do të tentojë që të ketë një komunikim me familjen e Martin Canit.
“Nuk kam folur, jam duke tentuar. Nuk keni pse ndërhyni, kam aq burrni dhe karakter dhe shpirt sa për të folur me familjen e tij. Nuk i kam bërë keq kurrë. Nuk jam një familje ordinerësh, por një familje e lartë, punojmë bashkë me nusen, kemi një djalë për mall dhe atë u munduam ta rrisim siç duhet ta rrisim, familjen time nuk mund ta prishë kush. Familja ime ka vepra. Pjesën e dhimbjes e ndaj me zotërinë, sikur me pas vdek djali im”, tha ai.
Ndër të tjera ai u shpreh se nuk ka pasur dijeni për sherrin që fëmijët kanë pasur më herët në shkollë dhe se ende nuk e di nëse i biri është autori.
“Nuk di asgjë, thjeshtë di që djali im akuzohet për atë pjesë, nuk di asgjë. Po të dihej nuk do kishte ndodhur kjo gjë. Nuk di gjë se çfarë ka bërë, inshallah se ka bërë, se nuk kam parë asnjë filmim, le ta marrë ligji në dorë. Djali është i shokuar, nuk di se çfarë thotë. Djali është në spital”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.