Ngjarje

Vrasja e Martin Canit / Qytetarët në protestë (edhe në Lezhë dhe Elbasan), kërkojnë hetim të plotë të ngjarjes

Nga Gazeta Si- Prindër, nxënës dhe qytetarë të shumtë kanë dalë sot për herë të tretë në protestë që pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij në dyert e shkollës ‘Fan Noli’. Përpos kërkesave që i kanë bërë publike që në protestën e parë, ku më kryesoret janë dorëheqja e ministres së arsimit Ogerta Manastirliu dhe sigurisë në shkolla, këtë herë qytetarët bëjnë thirrje edhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi gjithë vendin.

Kujtojmë që ka qenë babai i 14-vjecarit që mbeti i plagosur i cili deklaroi se në ngjarje kanë qenë dy persona me thikë dhe të dy e kanë goditur të birin ndërkohë që më vonë policia, me një deklaratë për shtyp tha se ky është dezinformim dhe sipas verifikimeve, ka vetëm një autor.

Me thirrjet "Çohu nga kafja" qytetarët kanë marshuar nga shkolla 'Fan Noli' drejt Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar nga qytetarët që t'u bashkohen.

Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare, një nga organizatat që ka organizuar protestën, tha se “nuk kuptohet kush është më e rëndë, ngjarja apo pas ngjarja”, duke iu referuar deklaratave të policisë.

“Falë këmbënguljes tuaj sot ka një rihetim të çështjes. Kushdo që dyshon nëse fitohet me reagim, ja që sot u vërtetua se fitohet. Sot ka më shumë të dyshuar sesa u dëshmua ditët e para dhe ka një hetim më të thelluar”, tha ai.

Ndërkohë, protesta paralele ka pasur edhe në rrethe ku prindër dhe qytetarë janë mbledhur në Elbasan dhe Lezhë për të protestuar.

Prindërit përmendën edhe takimin që Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Manastirliu mbajtën në shkollën “Sami Frashëri” me prindërit.

Ato përmendën se prindërit nuk janë njoftuar për këtë takim, duke thënë edhe se në takim ishin vetëm prindërit që ishin thirrur me ftesë.

“Pse nuk vijnë të flasin me në këtu por mbajnë takime në shkollën Sami Frashëri, me prindër që nuk kanë ardhur 1 ditë të protestojnë”, tha një prej protestuesve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë