Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të shpallur fajtor për porositjen e vrasjes së kryekomisarit Artan Cuku, në vitin 2017. Jambelli akuzohej nga Prokuroria se ishte porositësi i vrasjes, ndërsa Leci ishte ndërmjetësi mes tij dhe Mikel Shallarit, ekzekutorit të vrasjes. Ky i fundit u arrestua vite më parë dhe pasi pranoi të kthehej në bashkëpunëtor të drejtësisë, u dënua për vrasjen me 10 vite burg.
Shallari, asokohe vetëm 24 vjeç, tha se i ishte premtuar një pagesë 20 mijë euro për vrasjen dhe se pas krimit do të sistemohej prej tyre në Gjermani. Shallari rrëfeu se pas ngjarjes kishte marrë vetëm një shumë prej 2 mijë euro dhe disa shuma të vogla nga 200-300 euro të dërguara nga Leci e Jambelli nga jashtë Shqipërisë.
Më 8 prill 2017, rreth orës 20:10, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku, u vra me armë zjarri në hyrje të pallatit ku banonte në Tiranë.
Hetimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda dolwn nw pwrfundimin se vrasja ishte kryer në bashkëpunim dhe për shkak të detyrës së tij si drejtues policie, duke e klasifikuar si “vrasje e punonjësve të policisë së shtetit”. Jambelli, i arrestuar më parë nga Cuku për një vrasje në Vlorë, u lirua më pas nga gjykata dhe dyshohet se urdhëroi vrasjen si hakmarrje.
Më 9 prill 2019, Artan Cuku u shpall “Dëshmor i Atdheut”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.