Nga Gazeta Si – Shtyhet sërish seanca gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit, Lul Berishës, Plarent Dervishajt, Viktor Ymerit, Taulant Taullaut dhe Indrit Rusit, të akuzuar për dy vrasjet e bujshme të vitit 2015, atë të Vajdin Lames dhe Klodian Salliut.
Kjo seancë, në të cilën duhej të vendosej nëse çështja kalon për gjykim, kthehet për plotësim të hetimeve ose pushohet, u shty për mungesën e njoftimit të të pandehurit Plarent Dervishaj.
SPAK mbylli hetimet për këtë çështje dy muaj më parë, ndërsa jashtë gjykatës, avokatët e të pandehurve Lulzim Berisha e Plarent Dervishaj këmbëngulën në faktin se procesi është i montuar.
Sipas tyre, deklarimet e të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi, janë të pavërteta dhe të pambështetura në prova.
Avokatët Ilia Ilia e Detar Hysi pretenduan se rrëfimi i Reçit ka mashtruar për të përfituar përfitime dhe ulje të dënimit.
“Është vendosur një provë bazuar vetëm në deklarimet të një shtetasi të burgosur të dënuar me 25 vite burgim. Një mitoman, – tha Ilia, avokati i Lul Berishës. – Po bazohen vetëm në deklarime. Kemi të bëjmë më një mitoman, mashtrues. Prej vitesh prokuroria ka hetuar me këto fakte dhe u kanë kthyer përgjigje individit që nuk është person i besueshëm. Nuk jemi në momentin e legjitimimit të palëve që të nisë procesi gjyqësor. Prokuroria ka vetëm thëniet e atij dhe asnjë provë. Ai ka dalë me probleme mendore. Besueshmëria e tij është tejet skandaloze”, shtoi avokati.
Në muajin shkurt të këtij viti prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mbylli hetimet për vrasjet e bujshme të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, ngjarje të ndodhur para 17 vjetësh.
Ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Lul Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taullau dhe Luftar Reçi akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut në vitin 2005 dhe biznesmenit Vajdin Lamaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.