Drejtësia

Vrasja e ish-policit, SPAK kërkon 32 vite burg për Leonard Dukën. E ëma e viktimës kërkon dënim me vdekje

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 57 vite burg për vëllezërit Duka, konkretisht, 32 vite për Leonard Dukën dhe 25 vite për Erlis Dukën, të akuzuar për organizimin dhe vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Pas dy ditësh, më 21 janar, në orën 11:45 pritet vendimi final i Gjykatës së Posaçme për këtë çështje, ndërsa SPAK ka kërkuar burg edhe për 4 të dyshuar të tjerë si të përfshirë në ngjarje.

Gjatë seancës gjyqësore të kësaj të hëne, vetë Duka deklaroi pafajësinë. “Deklaroj që jam i pafajshëm dhe prokurori nuk ka asnjë fakt kundër meje. Kjo është e montuar nga policia që të më dëmtojnë mua. Kam besim te drejtësia”, tha ai. Ndërsa avokatja e tij, theksoi se konkluzionet e SPAK-ut nuk janë të bazuara në prova dhe në ligj.

Sipas avokates, përgjimet në “SKY ECC” nuk janë të ligjshme dhe se identifikimi që është bërë nga oficeri i Policisë Gjyqësore të kodeve, ka qenë “amator dhe jo i besueshëm”, pasi nuk është ndjekur procedura e standarde.

Gjatë seancës pati edhe debate në sallë. E ëma e viktimës në gjendje të rënduar emicionale kërkoi që Duka të dënohet me vdekje.

“Leonard Duka më ka vrarë djalin. Më solli Erlis Dukën dhe Ilir Selmanin dhe më tha që s’kam gjë me Santin, por doli e me vrau djalin në mes të rrugës. Unë nuk dua dënim të përjetshëm, dua dënim me vdekje për këtë”, tha ajo.

Ata akuzohen për “vrasje me paramendim”, “armëmbajtje pa leje”, “trafik narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

I akuzuar si një organizatorët e vrasjes së Santiago Malkos në gusht 2019 në Tiranë, Leonard Duka u ekstradua nga Belgjika vitin e kaluar, pas arrestimit po atje në 14 shkurt 2023.

Për vrasjen e Santiago Malkos vijojnë në kërkim Elis Duka, Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku dhe Oltion Logu.

Më herët, GJKKO, dënoi me 28 vite burg Ilir Selmanin, ndërsa Gjykata e Lartë riktheu për gjykim dosjen e Blendi Tetës, i akuzuar po ashtu për këtë çështje.

Emri i Leonard Dukës doli dhe në dosjen e operacionit “Revanshi”, ku u zbardhën komunikime e biseda të zhvilluara në aplikacionin “Sky” dhe “Encrochat”.

Në këto biseda, Duka thurte plane për eliminimin fizik të Ervis Martinajt dhe lidhjeve të afërta të tij shoqërore, siç ishte Erigers Mihasi.

Mbi këto dyshime për Leonard Dukën, SPAK ka ngritur akuzën e sigurimit të kushteve të vrasjes në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Dhunimi i babait të vëllezërve Duka, dyshohet se është edhe shkaku i armiqësisë mes ish-miqve Duka-Martinaj, që kaluan më tej në konflikt të përgjakshëm.

Nga hetimet dhe dëshmitë, rezulton se Malko kishte rrahur babanë e vëllezërve Duka dhe situata kishte denigruar më tej, teksa ish-polici cilësohej si mbështetës i “mbretit të kumarit”, Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej 8 gushtit 2022 pa asnjë gjurmë.

SPAK ka kërkuar masën e dënimit për:

Leonard Duka – 32 vjet burgim/ Dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së Lartë.

Erlis Duka – 25 vjet burgim

Fatmir Hyseni – 32 vite burgim

Aleksandër Manxhaku– 22 vjet burgim

Oltjon Loga – 23 vjet burgim

Dritan Agai– 23 vjet burgim


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë