Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës kërkon burgim të përjetshëm për Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, për vrasjen e ish-Drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, ngjarje e ndodhur më 7 prill 2017 pranë zonë te Liqeni Artificial, me dyshimin për shkak të detyrës.
Bledar Jambelli, me ndërmjetësimin e Kristaq Lecit dhe Mikel Shallarit, i cili u bë edhe bashkëpunëtori i drejtësisë, dyshohen se qëndrojnë pas këtij ekzekutimi. Por si organizatori Leci, ashtu edhe porositësi Jambelli, janë gjykuar në mungesë.
Siç njofton Prokuroria, nga hetimet ka rezultuar se Bledar Jambelli, që konsiderohet person me rrezikshmëri të madhe shoqërore, është hetuar nga i ndjeri për vrasjen e dy personave, në vitin 2012.

Pesë vite më vonë, ai vendosi që në shenjë hakmarrjeje të përgatiste vrasjen e ish-Drejtorit të Policisë, në bashkëpunim me Lecin dhe Shallarin.
“Për realizuar këtë qëllim, ai lidhi marrëveshje me shtetasin K. L. dhe për të realizuar vrasjen takoi edhe shtetasin M. Sh., të cilit iu premtua pagesë reth 20.000 euro dhe se do ta merrte në Gjermani pasi të kryente vrasjen, duke e bindur të kryejë krimin. Shtetasi K.L. e pajisi shtetasin M.Sh., me 2 armë të llojit pistoletë, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke marrë vëzhgim“, thotë Prokuroria.
Po në bazë të asaj që thotë Prokuroria e Tiranës, Mikel Shallari e qëlloi Cukun plot 8 herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.
Shallari u arrestua pak kohë pas ngjarjes falë kamerave të sigurisë dhe gjurmëve biologjike që kishte lënë në rrobat e mbajtura gjatë krimit dhe më pas të hedhura në një kosh plehrash në zonën e Tiranës së Re.
Ai u kthye në bashkëpunëtor të institucioneve të drejtësisë, duke treguar organizatorin dhe porositësin e vrasjes, ku gjykata e dënoi me dhjetë vjet burgim për krimin e kryer, duke u kërkuar edhe ndjesë familjarëve të viktimës.
Prokuroria deklaron se motivet e krimit ishin të qarta: hakmarrje personale, përfitim financiar dhe ndihmë ndaj të afërmve, ndërsa kërkesa për dënim maksimal synon të vendosë një precedent të qartë ndaj atentateve të mirëorganizuara ndaj zyrtarëve të shtetit.
Artan Cuku u qëllua për vdekje me armë zjarri në hyrje të pallatit ku banonte më 8 prill 2017 në zonën e njohura si Rruga e Kosovarëve pranë Liqenit Artificial.
Nga ana tjetër, procesi po zhvillohet në mungesë, për të dy personat e akuzuar, të cilët nuk u ekstraduan ne Shqipëri edhe pse u ndaluan nga autoritetet greke por me pas u liruan.
Jambelli është arrestuar dhe aktualisht ndodhet ne burg në Greqi për një ngjarje në vitin 2022 ku mbetën të plagosur 5 persona, ndërsa vendodhja e Leçit nuk dihet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.