Gazeta Si – Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë se i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme punonjës policie për të ruajtur sigurinë gjatë proceseve gjyqësore.
Por përgjigja që ka marrë mbrapsht nga këto institucione, është se ka mungesë të personelit, të paktën nga ana e Policisë së Shtetit, sepse Minisria e Brendshme nuk ktheu një përgjigje pas shkresës zyrtare.
Dokumentet u bënë publike pas vrasjes në sallën e gjyqit të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i ekzekutuar nga Elvis Shkambi pas vendimit për një konflikt pronësie në Shkodër mes dy palëve në proces.
Në deklaratën e KLGJ-së theksohet se, sipas legjislacionit (VKM Nr. 333, datë 28.04.2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”), sigurimi i gjykatave duhet të kryhet nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Pavarësisht kërkesave për shtim te efektivëve, KLGJ thotë se Policia e Shtetit i ka njoftuar duke i thënë se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”.
Pas kësaj përgjigjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente.
“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike”.
Megjithatë, Këshilli shpjegon se jashtë orarit zyrtar të punës ruajtja kryhet nga kompania shtetërore “Illyrian Guard”, nën varësi të Ministrisë së Brendshme.
Në deklaratë, KLGJ thekson se ngjarje si kjo nuk mund të konsiderohen të izoluara dhe kërkojnë një reagim të koordinuar shtetëror për të parandaluar përsëritjen e incidenteve dhe për të mbrojtur integritetin e sistemit gjyqësor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



