Drejtësia

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, burg për 3 të arrestuarit. Autori kërkon falje, roja e sigurisë: Isha sëmurë!

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, i cili akuzohet se autor i vrasjes së magjistratit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, xhaxhain e tij, Gjon Shkambi dhe si edhe punonjësin e sigurisë Banush Koxhajn.

Seanca ndaj tyre u zhvilluan nën masa të rrepta sigurie. Mësohet se gjatë seancës, Elvis dhe Gjon Shkambi kërkuan falje publike familjes së gjyqtarit Kalaja, duke deklaruar se ngjarja ka ndodhur “për shkak të tronditjes së lartë psikike” që ata kanë pësuar pas “kalvarit të gjatë të gjyqeve”.

Autori i krimit ka kërkuar falje edhe dy personave të plagosur gjatë ngjarjes, duke shprehur pendesë për atë që ka ndodhur.

Ata kanë pretenduar se konflikti ka lindur për shkak të një çështjeje pronësie, të cilën, sipas tyre, “gjykatat nuk e kishin zgjidhur siç duhet”.

Ndërkohë, Gjon Shkambi, i cili akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë, është shprehur në gjyq se nuk kishte informacion për aktin që do të kryente nipi i tij.

“Nuk kisha dijeni për veprimin e nipit, po dilja nga salla e gjyqit kur qëlloi gjyqtarin”, ka thënë në gjyq Gjon Shkambi.

Të dy të pandehurit kanë shprehur pakënaqësi ndaj sistemit gjyqësor, duke pretenduar se gjykatat nuk kanë dhënë zgjidhje sipas ligjit për çështjen e pronësisë së pallatit, që pretendojnë se është i tyre.

Ndërkohë, gjatë seancës, roja e sigurisë së Gjykatës së Apelit, B.K., deklaroi se ka qenë në gjendje të rënduar shëndetësore ditën e ngjarjes, ndaj dhe nuk ka ndërhyrë për të ndaluar Ervis Shkambin të armatosur kur detektori ka sinjalizuar praninë e një sendi metalik.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar që për të tre personat e arrestuar të vendoset masa e sigurisë “arrest me burg”. Elvis Shkambi, 30 vjeç, i dyshuari kryesor për vrasjen e gjyqtarit dhe plagosjen e babë e birit, Rakip dhe Ervis Kurtaj, përballet me tre akuza: vrasje të funksionarëve publikë, vrasje në rrethana cilësuese ndaj palëve të përfshira në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve.

Në rastin e Gjon Shkambit, prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të akuzës, duke hequr nga akuza vrasjen e gjyqtarit.

Sipas prokurorisë, dyshohet se Gjon Shkambi kishte vetëm dijeni për planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në procesin gjyqësor dhe dyshohet se mund të ketë luajtur rol nxitës në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën që ai pretendon në Shkodër.

Këto dyshime bazohen në deklaratat kërcënuese që 56-vjeçari ka bërë në media, ku ka folur hapur për hakmarrje ndaj personave që i konsideronte uzurpues të pronës, si dhe në kallëzimet e familjarëve të tij për kanosje të vazhdueshme.

Ndërkohë, Banush Koxhaj, roja i sigurisë, akuzohet për shpërdorim detyre. Prokuroria thotë se ai nuk ka ndërhyrë pavarësisht se detektorët kanë sinjalizuar praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës.

Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin e detyrueshëm në librin e protokollit, siç kërkohet për çdo person që hyn në institucion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë