Drejtësia

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Apeli lë në burg xhaxhain e autorit

Gazeta Si – Gjykata e Apelit refuzoi kërkesën për zbutje të masës së sigurisë për Gjon Shkambin, duke e lënë në fuqi masën “arrest në burg”.

Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit, u arrestua pas vrasjes se gjyqtarit Astrit Kalaj në Gjykatën e Apelit në kryeqytet.

Sipas vendimit të Apelit, Shkambi, xhaxhai i autorit të dyshuar të vrasjes së gjyqtarit Kalaja, nuk do të lirohet pasi gjykata, pas shqyrtimit të arsyetimeve të tij dhe provave në dosje, e ka konsideruar kërkesën si “të pabazuar në ligj dhe prova”.

Shkambi mbetet në burg si i dyshuar për “nxitje të krimit” dhe për dijeni të mundshme veprimet e nipit të tij, ndërkohë që hetimet vazhdojnë. 

Të dy ata akuzohen për vrasje në bashkëpunim, teksa ndaj nipit të Gjon Shkambit, rëndon edhe vepra penale e vrasjes së funksionarëve publikë dhe armëmbajtjes pa leje. 

Në paraburgim ndodhet edhe Banush Koxhaj, punonjësi i sigurisë së gjykatës ku ndodhi ngjarja e rëndë, i dyshuar për “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se nuk kreu detyrën për të kontrolluar Elvis Shkambin, ndonëse pajisja detektuese pikasi se ai kishte send metalik me vete.

Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua pasi shpalli vendimin për një konflikt pronësie. Ai ndërroi jetë gjatë kohës kur po transportohej në spital, ndërsa R.K.dhe E. K., të palës tjetër, mbetën të plagosur.

Pas krimit të rëndë, 32-vjeçari Shkambi u vetëdorëzua në polici, ku pas prangosjes deklaroi se vrasja ishte fundi i dhjetëra vendimeve të padrejta që ishin dhënë kundër familjes së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë