Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq Ilir Beqarajn, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje me paramendim” të kryer në bashkëpunim,”Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave”.
Sipas hetimeve të prokurorisë, Ilir Beqaraj ka ndihmuar ekzekutorët e vrasjes së Gentjan Bejtjas në vitin 2024 në Larushk të Fushë Krujës të largohen nga vendi i ngjarjes në fshatin Hasan, ku edhe kanë djegur makinën.
Po ashtu, Beqaraj dyshohet se ka vëzhguar në kohë të ndryshme viktimën në afërsi të banesës së tij.
Në lidhje me vrasjen e Gentjan Bejtjes janë arrestuar më herët Edison Haxhiu, ndërsa Flodian Plaku i njohur edhe me emrat Flodian Serjani dhe Flodian Memo, i cili kishte rolin e qitësit, është ende në kërkim nga policia.
Ilir Beqaraj, i njohur ndryshe dhe si Ilir Brahimi apo Mançellari, mbërriti me makinën “Golf” pa targa vetëm pak sekonda pasi atentatorët kishin ardhur në fshatin Hasan dhe po digjnin automjetin. Pas kësaj, të pestë u nisën në drejtim të Bubqit për t’u arratisur.
Makina tip “Golf 7” e përdorur nga Ilir Beqaraj, ishte në pronësi të 30-vjeçarit Edison Haxhiu, i cili sipas hetimeve rezulton se ka mbajtur të fshehur për disa ditë automjetin e tij.
Ish-polici i Burgjeve, Gentian Bejtja u qëllua në banesën e tij me 15 mars 2024, në Larushk të Fushë Krujës.
42-vjeçari ndodhej brenda në serë bashkë me bashkëshorten dhe njërin prej djemve kur u vra. Dyshimet e para janë që ai i ka parë autorët.
Bejtja ka tentuar të largohet pasi në oborrin e shtëpisë së tij janë gjetur shenja gjaku deri në pjesën e pasme.
Ai i kishte shpëtuar 3 atentateve të ndryshme. Më datë 4 korrik të vitit 2023, atij iu bë një atentat, jashtë ambienteve të banesës.
Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan L. Sino 29 vjeç, dhe u plagosën dy djemtë e Gentjan Bejtjas, A.Bejtja 13 vjeç dhe djali tjetër 10 vjeç.
Më 9 janar të vitit 2022, Gentian Bejtja i shpëtoi një atentati në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, ndërsa mbeti i plagosur miku i tij 31-vjeçar Klodian Stafuka që ishte me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Ngjarja mbetet e pazbuluar.
Gentjan Bejtja i shpëtoi po ashtu dhe një atentati me eksploziv të ndodhur në shtator të vitit 2016 kur në mjetit e tij një sasi eksplozivi shpërtheu dhe e plagosi atë.
Për atentatin e ndodhur më datë 4 korrik të vitit 2023 policia dyshoi tek Valter Bami, ish-miku i viktimës për të cilin me gjithë kërkimet u ngrit vetëm akuza e armëmbajtjes pa leje.
Ky i fundit, i cili u shoqërua edhe pas vrasjes së Bejtjes, qëndroi në burg për 6 muaj dhe u la i lirë me “arrest shtëpie” më datë 18 janar 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



