Nga Gazeta ‘Si’- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, të cilët akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2018 në Shkodër.
Tre të pandehurit kishin kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që i la në burg, duke depozituar rekurs në instancën më të lartë gjyqësore të vendit. Por Gjykata e Lartë vendosi të mos e pranojë rekursin, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.
Kujtojmë se në mars të këtij viti, Apeli i GJKKO i dënoi ata me burg.
Safet Bajri u arrestua më 17 Shkurt. Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, akuzohen për tre vepra penale.
Në njoftimin e SPAK thuhet se tre personat dyshohen për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Lici, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se të tre personat kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatbardh Lici i afërm i Ibrahim Licit në Shkodër më 10 gusht 2018.
“Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi Behar Bajri, i bën shtetasit Ibrahim Lici për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit Boran Berçana”, thuhet ne njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.